Basha: Nuk dinë të qeverisin, por të gjobisin

Shqipëria

Basha: Nuk dinë të qeverisin, por të gjobisin

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 12:01

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot qeverinë se e ka zhytur vendin në varfëri dhe në papunësi. Përmes një deklarate në profilin e tij në Facebok, Basha u shpreh se qeveria nuk di të qeverisë por të gjobisë, nuk di të drejtojë por të dhunojë.

Basha akuzoi qeverinë se e ka kthyer vendin në një shtet policor, një gjë që u refuzua 24 vjet më parë dhe theksoi se kjo “fytyrë e së keqes” duhet ndalur sa nuk është vonë.

“Fytyra e së keqes

Brenda një viti, ekonomia hyri në krizë. Papunësia dhe varfëria ka pushtuar çdo familje. Qytetarët luftojnë sot për mbijetesë, për bukën e gojës. Nuk dinë të qeverisin por të gjobisin, nuk dinë të drejtojnë por të dhunojnë. Nuk dinë të krijojnë pasuri kombëtare por të rrisin taksat, borxhet, çmimin e energjisë, naftës, ushqimeve, tarifat e shkollave dhe koston e jetesës. Premtuan mirëqenie, po sjellin shkatërrim të ekonomisë, vlerave demokratike dhe shtetit ligjor. Përmes dhunës synojnë t'i mbajnë shqiptarët nën ankthin e mbijetesës, nën frikën e së nesërmes. 24 vjet më parë, ne refuzuam shtetin policor dhe kthyem sytë nga shteti ligjor. Sot, nuk mund të lejojmë kthimin pas. Kjo është fytyra e së keqes dhe këtë të keqe ne duhet ta ndalim, sa nuk është vonë”, shkruan Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat