Shumica humb 7 vota për KLD-në, Braho i LSI-së dy herë pro Nishanit

Shqipëria

Shumica humb 7 vota për KLD-në, Braho i LSI-së dy herë pro Nishanit

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 21:55

Për të tretën herë shumica në Parlament ka rrëzuar dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, por gjatë votimit ka humbur një numër jo të paktë votash nga deputetët e LSI-së, duke shënuar kështu përçarje brenda mazhorancës parlamentare.
I vetmi që kishte paralajmëruar mbështetjen ndaj kandidaturave të Nishanit, ishte Spartak Braho i LSI-së, të cilit kryeministri Edi Rama, i tërhoqi vëmendjen edhe pak para votimit nominal.
Por në krah të Spartak Brahos, për kandidaturën e Sokol Ngresit, u rreshtuan edhe deputetët të tjerë të kësaj force, Luan Rama, Shkëlqim Selami, Bujar Kllogjeri dhe Luan Duzha. Në fund të seancës, edhe Armando Subashi, tha se kishte votuar pro.
Të njëjtin qëndrim shprehu edhe i vetmi opozitar në sallë, Aqif Rakipi i PDIU, ndërsa kreu i PBDNJ Vangjel Dule abstenoi. 67 deputetët e tjerë në sallë votuan kundër.
73 deputetë rrëzuan kandidaturën e Elona Stavrit. Por dekreti i Nishanit, u mbështet edhe një herë nga Spartak Braho dhe Shkëlqim Selami i LSI .
Në këtë rast Luan Rama dhe Bujar Kllogjeri abstenuan, sikundër edhe Vangjel Dule. Pro u shpreh edhe deputeti i vetëm i PDIU, Aqif Rakipi.
Duket se grupi i LSI, nuk ishte përgatitur për një rrjedhje kaq të madhe votash, pasi deputetët u përfshinë në debate brenda sallës kuvendore.
Në seancë, Parlamenti votoi edhe dy anëtarët e rinj të KLD, ku dhe një herë shumica humbi vota.
Kandidatura e Albana Shtyllës u kundërshtua nga dy deputetë të shumicës, ndërsa ajo e Vangjel Kostës, mori 7 vota kundër dhe vetëm 1 abstenim.
Në të dy rastet, pro propozimeve të së majtës votuan 77 deputetë. Tashmë Presidenti do të duhet të zgjedhë mes Shtyllës dhe Kostës.
Ndërkohë, Kuvendi i hapi rrugë edhe nisjes së procedurës për dy anëtarët të Këshillit Mbikqyrës së BSH, si dhe miratoi Eduard Ypin si anëtar të Komisionit të Konkurencës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat