Historia e familjes Demaj nga Tropoja e vjetër, me 11 vetë të ngujuar

Shqipëria

Historia e familjes Demaj nga Tropoja e vjetër, me 11 vetë të ngujuar

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 21:42

​Fiks Fare trajtoi mbrëmjen e se enjtes fenomenin e gjakmarrjes. Gazetarët e Fiksit udhëtuan në familjen Demaj në Bajram Curri.
Familja ndodhet e ngujuar prej kohësh në kullën e saj për shkak të një vrasjeje. Kryefamiljari Qerim Demaj tregoi historikun e gjakmarrjes, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Nurija bëri thirrje për ndihmë.
“Në Belgjikë na refuzuan, nuk ka besuan. U ndjeva keq. Sot pres nga shteti që ta mësojë që jemi në gjak, të na përkrahë, të shkollojmë fëmijët”, thotë ajo.
Në gjithë rrethin e Tropojës janë 64 familje në gjak, nga të cilat sipas të dhënave zyrtare 19 janë të ngujuara.
Ndërkohë në shkallë vendi janë rreth 600 familje të ngujuara. Në ndihmë të këtyre familjeve të dhënat zyrtare thonë se donatorët e huaj kanë dhënë 76 milion euro ndihmë financiare dhe materiale që nga viti 2005 deri në vitin 2013. Sipas një përllogaritje do të duhej të shkonte në 8-9 mijë euro për familje në vit.
Por realiteti është krejt tjetër. Në xhepat e familjeve që vërtet kanë nevojë për këto para nuk ka përfunduar asnjë qindarkë. Kreu i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve akuzoi për këtë shoqatat, numri i të cilave ngritur vetëm për gjakmarrjen shkon në 83.
Ai tha se këto shoqata mashtrojnë donatorët e huaj me video dhe filmime dhe më pas paratë e siguruara prej tyre i përvetësojnë, madje në këtë “lojë” përfshiu edhe Avokatin e Popullit që ka nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi me këto shoqata.
Megjithatë institucioni i Avokatit të Popullit u përgjigj duke thënë se bashkëpunimet janë në kuadrin e shkëmbimit të të dhënave dhe as jep dhe as merr fonde.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat