Lubonja: Rama po i frikëson qytetarët, synon t’i mjelë si lopë ata

Shqipëria

Lubonja: Rama po i frikëson qytetarët, synon t’i mjelë si lopë ata

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 18:34

Fatos Lubonja ka kritikuar nismat e fundit të Qeverisë së Shqipërisë, siç është aksioni për ndëshkimin e atyre që vjedhin energjinë elektrike apo ndëshkimet ndaj atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Sipas Lubonjës, Rama po frikëson qytetarët dhe po përpiqet t’i përdorë ata si lopë për t’u mjelë.

Një shtet i së drejtës nuk funksionon me aksione frikësuese dhe taksidarë të shoqëruar me policë, por me punë të përditshme, që synon mbi të gjitha t’u shërbejë njerëzve, t’u rrisë mirëqenien, të fitojë respekt, dhe jo t’i frikësojë ata apo t’i përdorë si lopë për t’u mjelë. Nuk mund të mos ngresh disa pyetje:

Ku keni parë ju një shtet të së drejtës ku drejtori i policisë së shtetit (por qoftë ky edhe Kryeministri) udhëzon policinë të monitorojë prokurorinë dhe gjykatat? Kush na e jep ne garancinë se policia qenka më e ndershme se prokuroria dhe gjykatat? Në një vend ku sipas drejtorit të OSHEE ka rreth pesëqind-gjashtëqind mijë lidhje të paligjshme, si mund të futësh çdo shkelës në burg, siç deklaron ministri i Brendshëm?

Ku i keni parë ju që për një kalim me të kuqe të semaforit apo për mungesë jeleku të marrësh gjoba që janë në mos sa rroga, sa gjysma e rrogës mujore të një mësuesi apo mjeku? A nuk do të ishte më normale që shteti të bënte përditë punën me vjedhësit e energjisë dhe po ashtu të bëhej një fushatë sensibilizuese për nevojën e vërtetë të këtyre jelekëve, dhe jo të kërcënoheshin njerëzit me ultimatume?

Ka një parabolë të Krishtit në Ungjill që tregon për atë fshatarin që deshi të pastrojë krejtësisht arën e grurit nga egjiri dhe shkatërroi edhe grurin e që lë mesazhin se nuk mund të bësh pastrim apo drejtësi absolute, lërja Zotit ta bëjë atë.

Dhe historia ka treguar se kush ka synuar pastrime të tilla, ka bërë shumë më keq”, shkruan Lubonja tek “Panorama”.

Sipas tij, kjo mazhoranca nuk po vepron si e majtë, duke qenë se po përdor policinë, ndërkohë që duhej të merrej me edukimin e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat