Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka vlerësuar rolin e audituesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në fjalën e tij në konferencën “Auditimi Kombëtar në shërbim të Qeverisjes Kombëtare”, Nishani vuri theksin në dy elementë të rëndësishëm, besimi dhe mirëbesimi në opinion publik, duke nënvizuar se këto dy elementë janë në dorë të audituesit.
“Për të arritur te besimi, veçanërisht te besimi me qytetarin shqiptar, me percepsionin i cili sjell më pas angazhimin e shoqërisë, në raport me shtetin, institucionet është një element i rëndësishëm që është në dorën e çdo audituesi. Është një proces që ndeshet me interesa ligjore dhe antiligjore, nga grupe të ndryshme që kanë qasje pozitive ndaj shtetit dhe grupe që kanë qasje për të anashkaluar rregullat e shteti. Krahës besimit që duhet të arrihet te opinion publik, po kaq e rëndësishme eshte edhe mirëbesimi. Mirëbesimit të subjekteve që janë objekt i kontrollit nga ana e auditit, në mënyrë të tillë qe puna e gjithësecilit të kontribuojë te e mira e legjislacionit por edhe në përmirësimin e punës së institucionit”, tha Nishani.
Për Presidentin Nishani, nuk ka rrugë tjetër përveç asaj të integrimit në Bashkimin Europian dhe për këtë është me rëndësi mbajtja e partneritetit dhe e komunikimit.
“Është shumë e rëndësishme mbajtja e partneritetit e një komunikimi me proceset që Shqipëria është duke ecur, Është e qartë, nuk ka alternativë tjetër për Shqipërinë, ka vetëm një rrugë ajo e integrimit në BE. Shoqëria shqiptare, institucionet janë të ndërgjegjshme që ky është një proces i cili nuk do të jetë i shkurtër. Ne kemi një detyrë të madhe, të përfshihemi dhe të angazhohemi në këtë proces dhe të kontribuojmë. Do të ishte fatale nëse do ta humbisnim këtë proces”.
Nishani tha se puna e KLSH na bën të gjithë të përgjegjshëm për t’u angazhuar në raport me publikun.
“Vlerësoj arritjet e dallueshme, qoftë në dinamikë qoftë në cilësi të KLSH gjatë viteve të fundit. Vlerësoj eksperiencën e vyer të këtij institucioni që nga krijimi. Fakti që ky institucion ka në objektin e punës së tij, por njëkohësisht dhe mënyrën e trajtimit ligjor të saj, na bën të gjithë të përgjegjshëm për të pasur angazhimin dhe për të qenë të artë në raport me publikun”, tha Nishani.