Legalizohen 480 parcela pa leje

Shqipëria

Legalizohen 480 parcela pa leje

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 08:14

Qeveria vendosi dje për kalimin e pronësisë së parcelave ndërtimore të realizuara pa leje, në favor të pronarëve dhe personave që kanë ndërtuar objektet. Sipas vendimit të qeverisë janë 480 parcela, me një sipërfaqe rreth 15 mijë metër katrorë në të gjithë vendin të ndara në qarqe të ndryshme që kanë kaluar në favor të poseduesve që kanë ndërtuar objekte pa leje. Vendimi i miratuar u kalon të drejtën e pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje poseduesve të sipërfaqeve maksimale të parcelave ndërtimore, sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhen këtij vendimi. Në vendim është përcaktuar edhe numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit për secilin qark. Kështu qarku Berat ka 19 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli rreth 5 mijë metër katrorë, qarku Elbasan, me 50 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 13 953 metër katrorë.

Qarku Fier, ka 111 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 38 251metër katrorë, që kanë kaluar në favor të ndërtimeve informale, ndërsa qarku Gjirokastër, ka 20 parcela ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit shkon rreth 7 mijë metër katrorë. Më tej, sipas vendimit, në qarkun Korçë, do të kalojnë 6 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 536 metër katrorë. Ndërkaq në vendim, përcakohet edhe harta me parcelat e mëdha ndërtimore që kalojnë në favor të atyre që kanë ndërtuar pa leje, në të gjithë Shqipërinë. Kështu në Kukës, janë 25 parcela, Lezha ka 19 dhe Shkodra ka 84 parcela ndërtimore. Në qarkun Vlorë, janë 44 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 14 227 metër katrorë, ndërsa qarku Tiranë, ka 102 parcela ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit është rreth 30 mijë metër katrorë. Sipas vendimit të qeverisë kalimi i pronësisë së sendeve të paluajtshme dhe të të drejtave reale mbi to, duhet të bëhet me akt noterial dhe të regjistrohet, përndryshe nuk është i vlefshëm. Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme janë të detyruara që të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim. Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, si dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Bazuar në hartën e çmimeve që qeveria shqiptare ka publikuar gjatë muajit gusht do të bëhet edhe përllogaritja e çmimit të truallit për të gjitha këto parcela.

Çdo i interesuar mund të bëjë vetë një përllogaritje duke u bazuar në hartën e çmimeve të vendosura për secilën zonë. Vendimi i sipërpërmendur hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në fletoren zyrtare, ku dhe do të shoqërohet edhe me hartën se ku janë këto parcela, të cilat kalojnë në favorin e poseduesve të pronarëve të ndërtimeve pa leje. Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, në diskutimin e tij në aktivitetin e organizuar nga AKKP- ja, vuri në dukje se: “Ky është një proces zinxhir dhe ka nevojë për angazhimin e të gjitha institucioneve, sepse secili ka rolin e vet. Në ndryshimet që iu bënë ligjit për legalizimin e pronave dhe ndryshimet për skemën e kompensimit të ish- pronarëve kanë sjellë disa përmirësime thelbësore, pasi ligji i vjetër u kishte dhënë mundësi ishpronarëve që të kompensoheshin, por implementimi i ligjit ishte i pamundur dhe jo operativ. Ndryshimet e bëra krijuan mundësinë që ky ligj tashmë të funksionojë. Ky ka qenë një hap në lehtësimin e situatës së pronave, pasi prej mëse dhjetë vjetësh ka patur nevojë për ndryshime të vogla ligjore. Do të vazhdojmë në drejtim të trajtimit të çështjes së ish- pronarëve dhe kemi këmbëngulur që të bëhet legalizimi fillimisht dhe kryesisht në zonat informale dhe më pas, në zonat e shpërndara”.
Përfituesit e uljes së çmimit të legalizimit Nëse ka familje që trajtohen me ndihme ekonomike, ka ulje prej 30 për qind. Ata që bëjnë pagesën menjëherë do të kenë një ulje në masën 20 për qind.

Kurse për ata që paguajnë rregullisht faturën e energjisë elektrike për një vit rresht do të kenë një ulje prej 10 për qind. Ndërsa tarifat fikse do të jenë: Për 300 metra katror me të gjitha shpenzimet që bëhen duhet të paguajnë 53000 lekë. Ata që kanë në zotërim 350 metra katror janë të detyruar të paguajnë 68000 dhe ata që kanë 400 metra katror do të paguajnë 78000 lekë. Sipas drejtorit Paulin Rajta, të gjitha këto lehtësira financiare do të mund t’iu japë zgjidhe të gjitha problemeve për mossigurim të certifikatës së pronësisë së tokës. Në të njëjtën kohë, shqetësim është edhe mbivendosja e parcelave dhe objekteve. Por sipas Rajta, një problem shumë i madh është edhe plani i studimit i cili është miratuar në vitin 2012. “Plani i studimi është shumë larg realitetit në të cilën ndodhen ndërtimet në vend, jo vetëm në Kamëz”- tha ai. Gjithashtu u sqarua edhe fakti që do të legalizohen vetëm ato objekte që janë ndërtuar para 15 janarit të vitit 2009.

Vendimi i plotë i mbledhjes së qeverisë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje poseduesve të sipërfaqeve maksimale të parcelave ndërtimore, sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit për secilin qark janë, si më poshtë vijon:

a) Qarku Berat, 19 (nëntëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 927,3 (katër mijë e nëntëqind e njëzet e shtatë presje tre) m².

b) Qarku Elbasan, 50 (pesëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 13 953,1 (trembëdhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tre presje një) m².

c) Qarku Fier, 111 (njëqind e njëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 38 251,3 (tridhjetë e tetë mijë e dyqind e pesëdhjetë e një presje tre) m².

ç) Qarku Gjirokastër, 20 (njëzet) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 6 985,7 (gjashtë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë presje shtatë) m².

d) Qarku Korçë, 6 (gjashtë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 536 (një mijë e pesëqind e tridhjetë e gjashtë) m².

dh) Qarku Kukës, 25 (njëzet e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 277, 27 ( tre mijë e dyqind e shtatëdhjetë e shtatë presje njëzet e shtatë) m².

e) Qarku Lezhë, 19 (nëntëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 5 880 (pesë mijë e tetëqind e tetëdhjetë) m².

ë) Qarku Shkodër, 84 (tetëdhjetë e katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 626 (tridhjetë mijë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë) m².

f) Qarku Vlorë, 44 (dyzet e katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 14 227 (katërmbëdhjetë mijë e dyqind e njëzet e shtatë) m².

g) Qarku Tiranë, 102 (njëqind e dy) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 221,8 (tridhjetë mijë e dyqind e njëzet e një presje tetë) m².

3. Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale për lidhjen e kontratave të kalimit të së drejtës së pronësisë për parcelat ndërtimore sipas neneve 83 dhe 750, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.

5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale, si dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Pronat, qeveria kërkon të mbyllë gjyqet me Strasburgun

Zgjidhja e çështjes së pronave dhe ish-pronarëve në vendin tonë kanë kaluar në diskutim në tryezën e konsultave, pas rekomandimeve që ka bërë gjykata e Strasburgut. Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave organizuan dje tryezën e dytë konsultative në lidhje me “Reformën ligjore dhe institucionale të AKPP-së ”, me pjesëmarrjen e institucioneve shtetërore, përfaqësues të pushtetit vendor, ministritë e linjës, etj. Hartimi i strategjisë ligjore për zgjidhjen e problemeve të ish-pronarëve në vendin tonë, sipas kreut të AKKP-së, Sonila Qato duhet të jenë një sërë të drejtash që duhet të zbatohen. Kreu i AKKP-së ka kërkuar që të ruhet dhe menaxhohet toka shtetërore si dhe të pakësohen konfliktet, të ketë lehtësim të reformave, të ketë përmirësim të planifikimit urban dhe zhvillimit të infrastrukturës. Nuk u la jashtë diskutimeve kërkesa për menaxhimin e mjedisit dhe sigurimin e të dhënave të sakta statistikore. Në fjalën e tij gjatë kësaj tryeze, zv/ministri i Drejtësisë, z. Idlir Peçi theksoi se: “Kjo është tryeza e dytë me qëllim zbatimin e rekomandimeve të dala nga Gjykata e Strasburgut në lidhje me çështjen e pronave në Shqipëri”. Kjo tryezë mblodhi gjithashtu të pranishëm nga Ministria e Financës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mjedisit, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës etj, dhe sikurse tryeza e mëparshme kishte si synim mbledhjen e sa më shumë sugjerimeve dhe rekomandimeve nga institucionet shtetërore, të cilat më pas do t’i paraqiten Grupit të Punës në Ministrisë së Drejtësisë përpara hartimit të ndryshimeve ligjore në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat