Ben Blushi: Po bëhemi më nacionalistë, ndeshja më eksitoi edhe mua

Shqipëria

Ben Blushi: Po bëhemi më nacionalistë, ndeshja më eksitoi edhe mua

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 15:51

Deputeti socialist dhe publicisti Ben Blushi thotë se shqiptarët janë bërë më nacionalistë pas ndeshjes Serbi-Shqipëri. Madje, ai thotë se edhe vetë është prekur nga kjo ndjenjë, kur ka parë ngjarjet e ndodhura në Beograd.

“Shoqëria jonë ka nevojë të mendojë më shumë sot. Jeton shumë mirë në krahasim me atë çfarë ka jetuar, por jeton shumë keq në krahasim me atë çfarë duhet të jetonte. Ka aq shumë gjëra për të diskutuar nisur nga ngjarjet e fundit.

Unë kam folur atje më shumë për nacionalizmin dhe kam thënë që Shqipëria do vijë duke u bërë një shoqëri shumë më nacionaliste. A është e vërtetë kjo dy javët e fundit? Jemi shumë më tepër nacionalistë se para ndeshjes me Serbinë?! Kemi të drejtë, s’kemi të drejtë, duhet diskutuar” ka thënë ai.

“Sigurisht që kemi të drejtë se ishim të provokuar, por jemi sot shumë më nacionalistë. Unë atë natë që e kam parë ndeshjen, për ata që më njohin e dinë që unë nuk jam njeri që shkoj mbas zjarrit shumë se shkoj mbas ujit isha në një eksitim. Mbas dy tri orësh që ishte dhënë lajmi thosha se sikur sonte të ndodhë ndonjë konflikt në Mitrovicë apo në Beograd, edhe unë mund të nisem të shkoj atje. Sot nuk mendoj më kështu, por dua të them që mjaftojnë ngjarje të vogla që të na bëjnë të mendojmë ndryshe për veten, për rajonin, për Ballkanin, edhe kjo është një gjë që na ka bërë shumë të mendojmë”, ka shtuar Ben Blushi, ndërsa promovonte librin e tij “Hëna e Shqipërisë” në qytetin e Korçës.

“Nacionalizmi për ne ka pasur kosto shumë të larta. Në Kosovë, Bosnjë, Kroaci, nuk e di a shkojë një milion apo jo, por janë disa qindra mijëra të vrarë nga popuj të tjerë që nuk donin të ndanin territorin me ta. Kur vjen puna te kostoja, sigurisht që nëse lufton për shtetin dhe je i pushtuar, justifikohet deri diku lufta për t’u çliruar, por për shkak se ne i kemi parë këto kosto” ka thënë ai.

Mjafton të marrim Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, të cilat u ndërtuan mbi themele nacionalizmi, miliona europianë të vrarë, çfarë kostoje i dha kjo botës?! Për fat, ne nuk kemi pasur valë nacionalizmi, nuk kemi shkuar për të pushtuar një popull tjetër, megjithëse arsye kemi pasur, se na kanë pushtuar. Po të kishim pasur më shumë fuqi, ndoshta do të kishim qenë nacionalistë në kohën e duhur. Besoj që nacionalizmi sot është i pavlefshëm. Sot dëgjohet shpesh shprehja ‘jam krenar që jam shqiptar’. Shqiptar lind, nuk e ke zgjedhur, siç mund të lindësh britanik, francez etj. Mund të bëhesh shtetas i vendeve të tjera, por çfarë lind nuk e zgjedh vetë. Nacionalizmi është i padobishëm, sidomos për popuj që vuajnë për shkak se janë shumë të vegjël dhe të pafuqishëm në aspektin ekonomik, ushtarak etj. Nuk kanë mundësi që nacionalizmin e tyre ta kthejnë në element rritje” tha Blushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat