Arkeologë nga Shqipëria mohojnë ekzistimin e piramidave ilire në BeH

Shqipëria

Arkeologë nga Shqipëria mohojnë ekzistimin e piramidave ilire në BeH

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 09:10

Arkeologu nga Shqipëria Lorenc Bejko hedh poshtë mundësinë e ekzistimit të të ashtuquajturave “Piramida Ilire” në Bosnje e Hercegovinë. Ai thotë se nuk ka asnjë të dhënë për ekzistimin e këtyre piramidave në Visoko të BeH.

Me një besim të madh te vetja, me idenë se po ndryshon historinë e njerëzimit, me një kapele arkeologësh në kokë (nga ato për mbrojtje nga dielli), me një qëndrim herë mistik e herë prej Indiana Jones, ai erdh në Tiranë dhe tha: kam zbuluar piramida ilire në Bosnjë. Jo vetëm që janë piramidat e para në Europë, më të mëdhatë në planet, por ato janë më të vjetrat në botë; konkretisht piramida e "Diellit", e cila është e lartë 220 metra, ajo e Diellit, e Hënës, e Tokës, ndërsa piramida e "Dragoit" dhe "Dashurisë", datojnë 12350 vjet më përpara.

Ky, është arkeologu Semir Osmanagiq, që prej vitesh "po trondit" botën, me zbulimin e tij (të pretenduar) në Visoko të Bosnjës. Nga viti 2005, kur ai e bëri publik këtë 'zbulim', nuk kanë munguar raportimet sporadike e të paqarta mbi një zbulesë të lidhur me ilirët.

Por, së fundmi, Semir Osmanagiq, ia ka behur në Tiranë dhe ka mbajtur dy "leksione", një në Akademinë e Shkencave e një në Muzeun Historik Kombëtar, dy prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës sonë.

Por, ndërsa Semir Osmanagiq u ka dhënë zë hipotezave të veta, shkenca shqiptare nuk ka mbajtur një qëndrim. "GSH" ka kontaktuar dje arkeologun Lorenc Bejko, për të mësuar qëndrimin e tij mbi "zbulesën e shekullit".

"E ndoqa nga kurioziteti Semir Osmanagiq-in, edhe pse kisha informacion paraprak nga kolegët e Bosnjës apo nga kolegët e tjerë të Shoqatës Europiane, për natyrën qesharake të gjithë kësaj historie", - thotë që në fillim Bejko, duke rrëfyer mandej se, pasi ka dëgjuar çka dëgjuar, vetëm sa ka konfirmuar gjithë ç'kishte dëgjuar më parë, prej "leksionit" të tij (Bejko thekson se leksioni duhet vënë në thonjëza). Por si qëndrojnë shkencërisht pretendimet e tij se në Bosnjë ka piramida 12350-vjeçare? "Nuk ka asnjë të dhënë shkencore për ekzistencën e një strukture piramidale artificiale në atë luginë të Bosnjës, në Visokos, sikundër pretendohet", - nënvizon Bejko gjysmë me të qeshur e gjysmë me ironi, ndërsa ndër mend i vijnë fraza prej "leksionit".

"Kemi të bëjmë absolutisht me fenomene e formacione natyrore, - sqaron arkeologu shqiptar, - që nuk kanë asgjë të veçantë e që i gjejmë gjithandej nëpër territoret e Shqipërisë, apo edhe më gjerë". Me të njëjtën qetësi, Bejko tregon se "nuk ka absolutisht asnjë argument që duhet marrë në konsideratë. Niveli i diskutimit që bëri ishte nivel joformal, e që nuk i lejohet as një studenti të papërgatitur. As një studenti të dobët pra, nuk i lejohet të flasë aq pa lidhje logjike e në mënyrë aq inkoherente me pseudo fakte"./ Gazeta Shqiptare/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat