Agresioni në Parlamentin e Kanadasë, Kryeministri Rama publikon mesazhin e Jean Trudeau

Shqipëria

Agresioni në Parlamentin e Kanadasë, Kryeministri Rama publikon mesazhin e Jean Trudeau

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 23:14

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në faqen e tij në “Facebook” një mesazh të Jean Trudeau, Liderit të Partisë Liberale të Kandasë, djali i kryeministrit të famshëm të Kanadasë Pierre Trudeau, mbi agresionin që ndodhi në Parlamentin e Kanadasë.

“Sa bukur tingëllon në shqip sot ky mesazh! Me bindjen që ky mesazh pas një agresioni barbar, ka një vlerë të posaçme sot kur jo pak njerëz e humbasin kthjelltësinë përballë agresivitetit të tjetrit, jeni të ftuar që të gjithë ta ndiqni – bashkëngjitur përkthimi”, shkruan Kryeministri Rama.

Më poshtë mesazhi i plotë i Jean Trudeau, Lideri i Partisë Liberale të Kandasë, djali i kryeministrit të famshëm të Kanadasë, Pierre Trudeau.

Të dashur bashkëqytetarë,

Jam thellësisht i trishtuar pas ndodhive të tmerrshme të ditës së sotme këtu në Ottawa, dhe dënoj pa asnjë rezervë aktet e egra e të pashpirta të dhunës.

Ky është një sulm i paharrueshëm. Nëse ka të tjerë fajtorë e bashkëpunëtorë, ata duhet të kapen dhe të ndëshkohen me forcën e plotë të ligjeve tona. Unë kam ofruar mbështetjen e plotë dhe të gjerë ndaj qeverisë, së bashku me ndihmën që anëtarët e partisë sonë mund të ofrojnë në këtë kohë.

Mendimet dhe lutjet e mia, së bashku me ato të kolegëve të mi, shkojnë për familjen dhe miqtë e viktimave të të shtënave të sotme të tmerrshme, duke përfshirë tetarin Nathan Frank Cirillo, i cili ishte duke qëndruar në krye të detyrës, duke ruajtur një nga monumentet më të shenjta të kombit tonë. Ishte një akt frikacak. Një njeri i paarmatosur u vra me gjakftohtësi në një distancë të afërt. Fjalët nuk arrijnë të shprehin këtë trishtim të thellë që ne ndjejmë për humbjen e tij. Grave dhe burrave të guximshëm të cilët nxituan në vendngjarje për t’u përballur me vrasësin dhe për të ndihmuar në ruajtjen e sigurisë sonë, unë u them vetëm faleminderit. Ju faleminderit për guximin tuaj vetëmohues dhe profesionalizmin tuaj në këtë kohë krize.

Në ditët që pasojnë, do të ketë pyetje, zemërim, ndoshta edhe konfuzion. Kjo është e natyrshme. Por ne nuk mund të lëmë që kjo ndodhi të marrë më të mirën tonë. Humbja e vetvetes sonë në frikë dhe spekullim është qëllimi i atyre që kryejnë këto akte të tmerrshme ndaj nesh. Ata duan të na trondisin. Ne do të qëndrojmë të vendosur. Ata duan që ne të harrojmë veten. Ne do të bëjmë të kundërtën, do të kujtohemi gjithmonë. Ne do të kujtojmë kush jemi. Ne jemi një demokraci krenare, një komb mikpritës e i qetë, dhe një vend me krahë e zemra të hapura. Ne jemi një komb i ndershmërisë, i drejtësisë dhe i sundimit të ligjit. Ne nuk do të frikemi dhe t’a ndryshojmë këtë që jemi.

Mbi çdo gjë, këto janë vlerat dhe parimet pas të cilave ne duhet të mbahemi akoma edhe më fort. Përkushtimi ynë për demokracinë e institucionet që kemi ndërtuar është themeli i shoqërisë sonë dhe një besim i vazhdueshëm që do të na udhëzojë në mënyrën e duhur drejt së ardhmes. Të mbeturit besnik ndaj vlerave tona në një kohë krize do të na bëjë një shembull për botën. Kriminelët nuk mund dhe nuk do të arrijnë të na diktojnë se si të veprojmë si një komb, se si ne të qeverisim veten, apo se si ne trajtojmë njëri-tjetrin. Ata nuk mund dhe nuk do të diktojnë vlerat tona, dhe ata nuk do të marrin dot vendime se si ne i përdorim hapësirat tona të përbashkëta publike.

Sot, disa flasin për humbjen e pafajësisë fëminore të Kanadasë. Kjo është e pasaktë. Kanadaja nuk është dhe nuk ka qenë fëmijërisht e pafajshme përballë kërcënimeve me të cilat përballemi; dhe ne e dimë, siç e kemi ditur gjithmonë, se ne nuk jemi të pacënueshëm. Por ne kurrë nuk kemi për t’i lënë këto kërcënime të ndryshojnë formën e qenies sonë, dhe ne kurrë nuk kemi për t’iu përulur atyre që duan të nëpërkëmbin vlerat tona e mënyrën tonë të jetesës. Ne mbetemi kanadezë, dhe si të tillë do të vazhdojmë. Ne do të kërkojmë përgjigje për çdo “si” dhe çdo “pse” për këtë që ka ndodhur. Këto përgjigje do të jenë vendimtare në parandalimin e ndonjë sulmi të ardhshëm.

Dhe për miqtë tanë dhe qytetarët e tjerë në komunitetin mysliman, kanadezët e dinë se akte të tilla si këto të kryera në emër të Islamit janë thyerje e besimit tuaj. Bashkëpunimi i vazhdueshëm reciprok dhe respekti do të ndihmojë në parandalimin e ndikimit të një propagande shtrembëruese ideologjike që shitet si fe. Ne do të ecim përpara së bashku, jo të ndarë.

Në ditët e ardhshme, ne do të përmbytemi me fotot dhe videot që do të tregojnë se çfarë ka ndodhur sot. Por ndër to ka një shumë të veçantë të cilën duhet ta mbajmë gjithnjë para syve të gjithë; fotoja e ngulitur në mendjen tonë është ajo kanadezëve duke ndihmuar njëri-tjetrin. Kjo është çka ne jemi në të vërtetë, dhe kjo është çka ne do të vazhdojmë të jemi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat