Spiropali-Yialouri: Grup pune për bashkëpunimin doganor

Shqipëria

Spiropali-Yialouri: Grup pune për bashkëpunimin doganor

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 14:33

Një takim bilateral mes doganës shqiptare dhe doganës greke është zhvilluar ditën e djeshme në Janinë. Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali së bashku me delegacionin nga dogana shqiptare, u takua me homologen e saj greke Eirini Yialouri, për të diskutuar për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, thjeshtimin e procedurave, përmirësimin e infrastrukturës në të dy anët e kufirit, si dhe luftën e përbashkët kundër krimit doganor dhe evazionit përmes shkëmbimit elektronik të informacionit.

Spiropali vlerësoi bashkëpunimin korrekt dhe të frytshëm mes dy administratave, ndërsa shtoi që duhet të vazhdohet me ndërtimin e raporteve të reja edhe në nivel personal, për të patur një vizion të përbashkët për të ardhmen. Spiropali propozoi rishikimin e marrëveshjes bilaterale të deritanishme me shtetin fqinj, në mënyrë që t’i përshtatet sa më mirë marrëdhënies ekzistuese mes dy administratave.

“Lufta kundër evazionit fiskal është prioritet për Administratën Doganore Shqiptare ashtu siç jam e bindur që për administratën tuaj kjo çështje është parësore. Për këtë arsye kërkoj që të ngrihet një grup pune mes dy administratave për të rritur efikasitetin dhe fleksibilitetin në drejtim të shkëmbimit të informacionit inteligjent”, u shpreh Spiropali.

Ndërsa Yialouri u shpreh se mes dy administratave ekziston një bashkëpunim shumë i mirë ndër vite, dhe shprehu bindjen se ky takim do t’i shërbejë zhvillimit ekonomik të rajonit, lehtësimit të procedurave doganore në ndihmë të biznesit dhe rritjes së sigurisë në luftën kundër trafiqeve.

Njëkohësisht, dy delegacionet prezantuan edhe projektet për zhvillimin e infrastrukturës doganore nga të dyja anët e kufirit. Në planin afatmesëm u diskutua për mundësinë e zhvillimit të infrastrukturës në pikat doganore të Kapshticës, Kakavijës dhe Tre Urat.

Të dyja palët ranë dakord për nënshkrimin e një dokumenti të ri bashkëpunimi për shkëmbimin e informacionit dhe më gjerë, i cili do të shërbejë për rritjen e luftës ndaj trafiqeve të paligjshme dhe lehtësimin e procedurave për biznesin e ndershëm. Spiropali e ftoi Yialourin për një vizitë në Shqipëri, ndërkohë që i propozoi edhe zhvillimin e një takimi me biznesin grek në vendin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat