Biznesi kërkesë qeverisë: Të ulen taksat

Shqipëria

Biznesi kërkesë qeverisë: Të ulen taksat

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 10:45

Përpara se qeveria të marrë vendimin përfundimtar për paketën e re fiskale, biznesi këmbëngul që qeveria të mbledhë të ardhura në vitin 2015 përmes miradministrimit fiskal dhe jo me rritjen e taksave dhe tatimeve, përfshirë edhe çmimin e energjisë elektrike. Sipas drejtuesve të biznesit, paketa e vitit 2014-të e përdorur nga qeveria e re, pati pasoja të rënda për buxhetin e shtetit. Në një aktivitet me akademikë dhe ekspertë të ekonomisë, u mbështetën propozimet biznesit, duke theksuar se Paketa Fiskale e 2014-ës nuk ka ndikuar as në rritjen ekonomike dhe as në uljen e evazionit fiskal dhe as në rritjen e punësimit. Në deklaratën për mediat e bizneseve, paketa fiskale e vitit 2015 duhet të përmbajë edhe 8 pikat që biznesi ka parashtruar.

Në të thuhet: Rritja e të ardhurave në buxhetin e vitit financiar 2015 të mbështetet në miradministrimin fiskal dhe jo ne rritjen e taksave dhe tatimeve përfshirë edhe çmimin e energjisë elektrike. Kërkohet gjithashtu edhe rikthimi i tatimi fitimit të sheshte prej 9 - 9.5 për qind për të gjithë sektorët e biznesit, që punojnë në kushtet e konkurrencës së lirë. Ndërsa kërkesa për zbatimin e tatim fitimit progresiv në masën 15 për qind për bizneset e sektorëve, që punojnë në kushtet e tregjeve të mbyllura/rregulluara me licenca, koncesione, etj. dhe kanë norme fitimi të paktën 10 për qind. Po kështu bizneset kërkojnë edhe zbatimin i tatimit progresiv deri në masën 20 për qind për dividentin për bizneset e sektorëve të ekonomisë, që punojnë në kushtet e tregjeve të mbyllura/ rregulluara me ligj (burime natyrore, tregjet monopol, oligopole, etj). Përfaqësues të biznesit, pohuan se tatimi progresiv mbi 10 për qind deri 20 për qind të shtrihet mbi pagat 500 mijë lekë në muaj.

Pjesë e listës së kërkesave është edhe heqja e ndarjes në kategori biznes i madh/vogël mbështetur në xhiron vjetore 8 milionë lekë për efekt tatim fitimi dhe përfshirja në skemën e TVSH-së. Shtrirja e TVSH-së për bizneset deri në nivelin e 2 milionë lekëve në vit xhiro ose përjashtimin nga shtrirja e TVSH-së vetëm të kategorisë “biznese ambulante”. Të nxitet formalizmi i bujqësisë me mbështetje fiskale për rimbursimin e TVSH- së për prodhime, teknologji, makineri si dhe të hiqet akciza e naftës, duke bërë subvencione për prodhimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat