Këshilli i BSH-së, Kuvendi hap procedurën për zgjedhjen e anëtarëve

Shqipëria

Këshilli i BSH-së, Kuvendi hap procedurën për zgjedhjen e anëtarëve

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 10:06

Kuvendi hap të hënën procedurën për plotësimin e dy vendeve vakante në Këshillim Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pas dy dorëheqjeve në këtë institucion pas skandalit të vjedhjes së Bankës. Burime nga Kuvendi pohuan se në fillim të javës do të mblidhet Komisioni për Ekonominë dhe Financat i cili do të hapë zyrtarisht këtë proces. Ndërkohë që rreth një muaj më parë kryeministri Edi Rama, shpalli aplikimin për vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së, duke iu adresuar shqiptarëve që punojnë jashtë vendit.

Gjatë çeljes së aplikimeve ai argumentoi se, “Ne e çelim këtë proces: Për të pasur një mundësi sa më të gjerë përzgjedhjeje; Për t’i dhënë hapësirë të merret në konsideratë kujtdo që ka mundësi të japë një kontribut si edhe dëshirë që ta bëjë këtë; Për ta ngritur Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në një stad të ri përgjegjësie e përgjegjshmëri profesionale; Për të vendosur meritën si parakusht të përzgjedhjes dhe thelluar depolitizimin e Këshillit Mbikëqyrës”. Më 1 tetor kryeministri informoi për mbylljen e procesit të aplikimeve me 151 kandidatë në listë. Ndërkohë që mbi këtë bazë pritet që duke filluar nga dita e hënë të bëhet edhe plotësimi i dy vendeve bosh në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Skandali i vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, por edhe shkëmbimi i opinioneve të specialistëve të fushës, pritet të ketë edhe emrat e rinj që do të jenë edhe kupola e parave të shqiptarëve. Sipas ligjit nr 8269 “Për Bankën e Shqipërisë” neni 44 shpjegon që Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga 9 anëtarë. Ndërkohë në këshillin aktual, që pas largimit të guvernatorit Ardian Fullani dhe anëtari Ardian Civici, kanë mbetur vetëm 4 anëtarë. Në muajin korrik të këtij, viti policia arrestoi një nga punonjësit e thesarit të Bankës së Shqipërisë për vjedhje, ndërsa hetimi shkoi deri në arrestimin pjesës më të madhe të zinxhinirit drejtues të Thesarit të Shtetit. Në shtator prokurori Ramadan Troci, firmosi dhe urdhëroi arrestimin e guvernatorit Ardian Fullani, si dhe të kryeinspektores së Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi të dyshuar për shpërdorim detyre, në mosnxjerrjen e udhëzimeve dhe akteve nënligjore të nevojshme për parandalimin e vjedhjes së bankës. Aktualisht çështja është ndarë në dy dosje, në të cilat janë përkatësisht të akuzuarit për vjedhje dhe shpërdorim detyre si dhe në një dosje tjetër Fullani dhe Elivar Golemi.

Në nenin 44 thuhet të ligjit për Bankën thuhet: “Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, si më poshtë: - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë - kryetar i Këshillit Mbikëqyrës; - zëvendësguvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë - zëvendëskryetar i Këshillit Mbikëqyrës; - zëvendësguvernatori i dytë i Bankës së Shqipërisë; - gjashtë anëtarë”. Sipas ligjit të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë: a) Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi i Shqipërisë; b) tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave; c) një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës. Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga Guvernatori. Afati i qëndrimit në detyrë për çdo anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, për guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët është shtatë vjet, duke synuar që datat e mbarimit të këtij afati të çdo anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të jenë të shpërndara gjatë periudhës shtatëvjeçare. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori dhe zëvendësguvernatorët mund të rizgjidhen, përveçse kur shkarkohen sipas rasteve të parashikuara në nenin 47 të këtij ligji. Në fakt procedura që do të fillojë të hënën do të bëhet për të plotësuar 2 vendet vakant, në një kohë që ligji parashikon 9 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Pas kësaj pritet që të bëhet edhe përzgjedhja e Guvernatorit nga ana e presidentit Bujar Nishani, pas propozimit që bën kryetari i Këshillit të Ministrave, pra kryeministrit.

Anëtarët e KM do të jenë shqiptarë

Diskutimeve në media dhe në tryezat e profesionistëve nëse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë duhet të jetë i huaj apo shqiptar, nuk do të prekë nënshtetësinë e anëtarëve të këshillit. Kjo pasi ligji në nenin 44 pika 3 shprehet: “Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë, persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale. Po kështu, ata kanë të përcaktuar me ligj edhe kualifikimet akademike. Sipas ligjit, përveç figurës morale të pastër duhet të kenë : a) arsimin e lartë ekonomik ose juridik; b) përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare; c) kualifikime profesionale të profilit; ç) përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare; d) të mos kenë pengesa të parashikuara në nenin 47.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat