Rikthimi në Kuvend, mazhoranca pranon kushtet e opozitës

Shqipëria

Rikthimi në Kuvend, mazhoranca pranon kushtet e opozitës

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 09:01

Mazhoranca i hap rrugë rikthimit të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Ligjvënësit e shumicës votuan pro ngritjes së komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita dhe u shprehën po ashtu pro ndryshimit të rregullores së Kuvendit. Vendimi erdhi pas përgjigjes zyrtare të kthyer nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, për kushtet e vëna nga opozita për rikthimin e saj në Kuvend. Ruçi deklaroi në nisje të seancës së djeshme se mazhoranca shprehet pro ndryshimit të rregullores së Kuvendit duke i dhënë opozitës të drejtë replike pas çdo fjale të kryeministrit, edhe pse një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga demokratët kur ata ishin në mazhorancë. Ai shtoi gjithashtu se ishin dakord dhe për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për tatimet dhe administratën publike. Në përgjigje të votës së Kuvendit erdhi reagimi i kreut të demokratëve Lulzim Basha sipas të cilit bojkoti opozitar do të ndërpritet vetëm pas një marrëveshjeje me garanci ndërkombëtare. Basha shtoi se kërkesat e plotësuara janë detyrim ligjor.

Kërkesat e opozitës

Mazhoranca pranon dy nga kërkesat e parashtruara nga Partia Demokratike si kushte për rikthimin e saj në kuvend. Në nisje të seancës së djeshme Ruçi kërkoi përfshirjen në rendin e ditës dhe miratimin e propozimit të opozitës për ndryshimin e rregullores së kuvendit për sa i takon minutazhit të fjalës së përfaqësuesit të opozitës, që do të jetë e njëjtë me atë të kryeministrit, pasi ky i fundit ka mbaruar fjalën në seancë, edhe pse, kujtoi ai, një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga mazhoranca e djeshme.“Mazhoranca e sotme nuk do të bëjë gabimet e mazhorancës së shkuar. Opozita e sotme ka bërë një propozim, që sapo mbaron fjalën kryeministri, kreu i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare ose përfaqësuesi i saj merr fjalën dhe flet aq sa ka folur kreu i qeverisë. Ky propozim është i njëjtë me atë që bëmë ne kur ishim në opozitë, por kërkesa jonë në atë kohë u bllokua për dy vite me radhë. Madje Sali Berisha, në vitin 2012, kur ishte kryeministër i vendit na drejtohej: “Më gjeni një Kushtetutë të vetme evropiane që e ka të shkruar këtë dhe unë do ta pranojë menjëherë. Pavarësisht kësaj ne shprehemi dakord””, - deklaroi Ruçi. Ai bëri dhe një analizë të kohës që ka shfrytëzuar opozita në kuvend, edhe pa këto ndryshime. “Në sesionin e kaluar kur opozita ishte prezente në parlament, në 106 orë debat parlamentar pozita ka folur 53 orë e 20 minuta, opozita 53 orë e 50 minuta. Pra, 30 min më shumë se sa pozita. Në qoftë se Rama ka folur vetëm 5 orë e 23 minuta, kreu de facto i opozitës, ka folur 12 orë e 46 minuta. Pra dy herë e gjysmë më shumë se kreu i ekzekutivit. Ky është një rekord që mund të futet edhe në librin “Guiness” pasi sot nuk gjen asnjë parlament me një përqindje të tillë kohore. Pra nuk është dyshja Rama- Meta që ka asgjësuar debatin parlamentar apo ka dhunuar hapësirat demokratike të opozitës shqiptare”, theksoi Ruçi. Ndërsa si pjesë të ndryshimeve ai kërkoi dhe rikthimin e komisioneve parlamentare sipas rregullores të miratuar me konsensus në vitin 2004.

“Shtimi në mënyrë artificiale i numrit të anëtarëve të komisionet parlamentare i ka kthyer ata si grupe parlamentare duke vështirësuar veprimtarinë normale. Ka shtuar shumë shpenzimet financiare lidhur me pagesat dhe nuk ka as ambiente fizike për të përballuar një kuorum të tillë. Në këto kushte propozoj të kthehet formulimi i pjesëmarrjes së deputetëve në komisione siç e ka pasur rregullorja e miratuar me konsensus në 2004-n”, - tha ai. Sipas këtij modeli deputeti merr pjesë vetëm në një komision parlamentar. Gjithashtu kreu i deputetëve socialistë propozoi futjen në rendin e seancës së djeshme plenare, projektvendimet për miratimin e dy komisioneve hetimore që opozita kërkon, atë për tatimet dhe administratën publike. Më parë ai kujtoi se diskutimi i tyre ishte futur në axhendën normale të diskutimeve por opozita bojkotoi para marrjes së një vendimi. Pas diskutimeve Kuvendi miratoi me 72 vota pro dhe votën kundër të Bashkim Finos, ngritjen e komisionit hetimor për administratën dhe po me 72 vota ngritjen e komisionit hetimor për tatimet. Sa i përket ndryshimeve në rregullore, në fund të procesit të votimit, Meta theksoi se: “Propozimet për ndryshimin e rregullores do të bëhen në një kohë më të përshtatshme pasi për arsye objektive nuk u realizua mbledhja e Këshillit të Rregullores”.

Reagon Basha

Por ndërsa mazhoranca votoi pro ngritjes së komisioneve hetimore, Partia Demokratike deklaron se nuk do të tërhiqen nga bojkoti nëse më parë nuk ka një marrëveshje me ndërkombëtarët. “Qeveria dhe shumica kanë qenë prej disa muajsh në shkelje flagrante të këtij detyrimi. Sot vendosën të zbatojnë Kushtetutën! Po çfarë garancish ka se nuk do t’i shkelin prapë? Asnjë garanci. Si opozitë ne kemi vështirësi të pranojmë që zbatimi i vendimeve të gjykatave prej qeverisë të varet nga humori i saj, nga dhe konjukturat e ditës. Ndaj kemi kërkuar e ngulmojnë për një marrëveshje me garancinë e miqve dhe partnerëve më të mirë ndërkombëtarë të Shqipërisë”, - ka deklaruar kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat