E majta: dakort me kërkesat e opozitës

Shqipëria

E majta: dakort me kërkesat e opozitës

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 20:34

Në Shqipëri shumica e majtë miratoi sot ngritjen e dy komisioneve hetimore për cështjen e vjedhjes në serverin e Tatimeve dhe atë mbi emërimet në administratën publike. Vendimi erdhi si përgjigje e disa kërkesave që opozita paraqiti dy ditë më parë si kusht për rikthimin e saj në parlament. Shumica ra dakort që opozitës t’i lihet e njëjta kohë replike me atë të kryeministrit si dhe u shpreh e gatshme për cdo propozim të së djathtës lidhur me shmangien e futjes në parlament apo në institucionet shtetërore të personave me precedentë penalë. Por kryetari demokrat Lulzim Basha këmbënguli në nevojën e një garanie nga komuniteti ndërkombëtar.

Përmes një deklarate të kryetarit të grupit të saj parlamentar Partia demokratike kërkoi dy ditë më parë një marrëveshje nën monitorimin dhe garancinë e komunitetit ndërkombëtar me shumicën e majtë. Për rikthimin e saj në parlament opozita kërkoi angazhimin e së majtës për respektimin e kushtetutës dhe vendimit të gjykatave të vendit.
Opozita ka akuzuar shpesh se asaj i është refuzuar e drejta e hetimit parlamentar, duke iu referuar dhe një vendimi të gjykatës kushtetuese e cila i jepte të drejtë asaj për kërkesën për të hetuar mbi cështjen e vjedhjes në serverin e Tatimeve. Kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruci, tha se shumica e kishte futur në rend të ditës që në muajin korrik, por opozita braktisi parlamentin tha ai. “E bëra këtë sqarim për të bërë propozimin. Sot e kësaj dite opozita nuk është e pranishme në parlament. Ne jemi në të njetin qëndrim. Jemi plotësisht dakort me vendimin e Gjykatës kushtetuese, jemi plotësisht dakort që të zbatohet kushtetuta dhe kërkesat e ligjit për komisionet hetimore. Prandaj kërkojmë që të dyja kërkesat e opozitës, si komisioni për Tatimet dhe për Administratën publike të përfshihen në rendin e ditës.”
Më tej kryetari i grupit parlamentar Ruci tha se ishte dakort që opozita të kishte të njejtën kohë me kryeministrin, pavarësisht se, sic kujtoi ai, kjo kërkesë i ishte mohuar socialistëve kur ishin në opozitë: “Kërkesa e pare e imja ne emër te grupit parlamentar socialist është qe kërkesa e bere nga kryetari i PD për ndryshimin e rregullores për te marre fjalën përfaqësuesi i opozitës menjëherë për të replikuar me kryeministrin e vendit, të vendoset në rendin e ditës dhe të votohet”.
Një tjetër debat që vazhdon gjatë mes palëve është edhe për praninë në parlament të personave me precedentë penalë. Kjo pikë ishte dhe ndër kërkesat në deklaratën e dy ditëve më parë të zotit Paloka, për të cilën kryeministri Rama u shpreh gjithashtu dakort të pranonte variantin e opozitës, mjaft që të ishte në respekt të të drejtave kushtetuese të njeriut. “Nëse opozita ka ndonjë ide konkrete, ndonjë propozim konkret, ndonjë plan konkret, për se si mund të qëmtohet në jetën e tjetrit, në funksion të integritetit moral të të gjithë përfaqësuesve të popullit në këtë Kuvend, ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë dhe ta diskutojmë propozimin apo planin e tyre”, deklaroi kryeministri.
Ngritja e komisioneve hetimore u miratua gjatë seancës, ndërkohë që për ndryshimet e rregullores do të pritet dhe opozita. Por pavarësisht lëvizjeve të sotme të shumicës, e djathta nuk duket të jetë e bindur. Përmes një postimi në facebook kryetari i saj Lulzim tha se nuk ka garanci se nuk do të shkelet sërish kushtetuta dhe nuk do të mohohet e drejta e komisioneve hetimore. “Si opozitë ne kemi vështirësi të pranojmë që zbatimi i vendimeve të gjykatave prej qeverisë të varet nga humori i saj, nga dhe konjukturat e ditës. Ndaj kemi kërkuar e ngulmojnë për një marrëveshje me garancinë e miqve dhe partnerëve më të mirë ndërkombëtarë të Shqipërisë”, nënvizoi zoti Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat