Veliaj: 80 mijë gra marrin ndihmën ekonomike

Shqipëria

Veliaj: 80 mijë gra marrin ndihmën ekonomike

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 13:06

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, deklaroi sot se falë ndryshimit të politikave të ndihmës sociale, nga 107 mijë burra që merrnin ndihmën ekonomike deri para një viti, sot janë 80 mijë gra që marrin ndihmën ekonomike.

Deklarata u krye në konferencën rajonale për statistikat gjinore e organizuar nga INSTAT në Tiranë, nga ku ministri Veliaj tha se “ janë marrë disa vendime të informuar nga statistikat. U informuam që 14 % e njësive ekonomike familjare drejtohen nga gra dhe vajza, pra vajza beqare ose nëna të veja”.

“Miqtë tanë të statistikës duhet të na ndihmojnë të monitorojmë nëse kjo masë e suksesshme ul dhunën në familje, i fuqizon më shumë gratë ekonomikisht, ndihmon më shumë në rritjen e fëmijëve, sigurohet që paratë nuk shpenzohen për alkool, por shkojnë për arsimim, etj”, u shpreh Veliaj.

Veliaj dha disa të dhëna të tjera inkurajuese, që tregojnë se është rritur numri i femrave në shkollat profesionale.

“Nëse në vitin 2008 ne kemi patur 4.3 % vajza që shkonin në arsimin profesional, sot janë mbi 10.1 % të vajzave që janë futur në arsimin profesional. Vetëm vitin e fundit kemi patur një rritje të mbi 20 % të vajzave në arsimin profesional”, nënvizoi Veliaj.

Por pavarësisht se shifrat janë inkurajuese, ministri tha se ato janë larg ambicies së ministrisë kur vjen puna te ofrimi i të njëjtit shans për vajzat dhe djemtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat