Dëshmitari: Pashë Frrokun në veturën nga u qëllua Lamaj

Shqipëria

Dëshmitari: Pashë Frrokun në veturën nga u qëllua Lamaj

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 10:59

Për rreth gjashtë orë në Gjykatën e Krimeve të Rënda është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Në anën tjetër të murit ka qenë i vendosur dëshmitari i prokurorisë që më në fund rrëfeu për çështjen aq shumë të përfolur. Dëshmia e F. V, i fshehur deri para pak kohësh pas emrit Arben Ndoka, nisi dje rreth orës 10.00 dhe u mbyll rreth orës 16.00, ndërkohë që dëshmitari i ka qëndruar rrëfimit të parë që ka dhënë për prokurorinë ku edhe ka marrë statusin e dëshmitarit. “Po, e kam parë. Arben Frroku ka qenë në timonin e makinës nga ku u qëllua Dritan Lamaj. Ka pasur një kapuç në kokë, por pamaskuar, ndërsa dy personat e tjerë, kanë qenë me kapuça dhe trupshkurtër”.

Avokatët pohuan se gjatë seancës gjyqësore ka patur debate të ashpra mes prokurorit, atyre vetë si dhe Arben Frrokut, pasi gjatë pyetjeve të mbrojtjes së të pandehurit dhe vetë Frrokut në drejtim të dëshmitarit, ai ka qenë jo pak herë kontradiktor edhe brenda së njëjtës sekuencë. Mbrojtja është mbajtur fort te shkeljet e procedurës së marrjes së dëshmisë së F. V. Arben Frroku, gjatë përballjes e ka bërë dëshmitarin të mohojë njohjen me të, e madje ai ka mohuar edhe faktin e se ishte borxh te vëllezërit Frroku. Dëshmitari ka pohuar se njihte Arben Frrokun, por jo në mënyrë të drejtë për drejtë, por nëpërmjet të vëllait të tij. Atë e njihte por se nuk kishte marrëdhënie me të personalisht. Gjatë përballjes në këtë pikë, dëshmitari i mbrojtur mohoi edhe një fakt që është bërë publik prej kohësh. Ai ka dorëzuar nëpërmjet një personi edhe një veturë “Mercedez- Benz”, që e ka lënë peng për borxhet. Personi që ka dorëzuar mjetin, sipas të dhënave quhet A.H dhe mbrojtja e ka kërkuar të vijë dhe të dëshmojë, por nuk bëhet e ditur vendndodhja e tij, pasi aktualisht është emigrant. A.H është mik i të dy palëve.

“Nuk e kam mik Arben Frrokun”

Ndonëse thotë që e ka shquar dhe njëherësh e ka njohur në timonin e mjetit BMV, natën e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, F.V, ka mohuar para gjykatës që e ka patur të njohur Arben Frrokun. Në momentin e përballjes me pyetjet e avokatëve në lidhje me miqësinë mes tyre, dëshmitari ka mohuar në mënyrë kategorike ta kishte patur mik, por që e kishte njohur nëpërmjet vëllait të tij, Mark Frrokut. Madje ai ka mohuar të ketë ndenjur më shumë se për një kafe me të, ndërkohë që është zënë mat në momentin kur Frroku i ka thënë t`i tregonte gjykatës se sa borxhe i kishte familjes së tij. Dëshmitari i tha gjykatës që nuk i kishte asnjë lekë borxh

. Në këtë pikë ka këmbëngulur Frroku mbi mjetin luksoz që personi që jepte dëshminë, ka dërguar tek vëllezërit Frroku, për ta lënë peng për shumën e madhe të parave që iu kishte. Sërish ky i fundit e ka mohuar edhe këtë fakt, ndërsa është folur edhe mbi personin që ka ndërhyrë, person që është dërguar nga F. V, tek Arben Frroku dhe që pritet pse jo të jetë edhe pjesë e personave që do të pyetën, nëse gjendet vendndodhja e tij, pavarësisht se ende nuk është vendosur për rëndësinë e dëshmisë së tij. Njëkohësisht, në seancën e djeshme, mësohet se mbrojtja i dorëzoi një kërkesë gjykatës në lidhje me inspektimin shëndetësor të dëshmitarit, pasi ai ka probleme me shikimin. Nga të dhënat që dispononte mbrojtja pretendohet se ai me njërin sy nuk shikon fare dhe në pozicionin që ai shpjegon se ka parë mjetin i bie të jetë në anën e syrit që nuk shikon.

Gjykata e rrëzoi këtë kërkesë, ndonëse si mbrojtja po ashtu edhe Frroku kanë vënë për gjatë gjithë kohës në dyshim para gjykatës dëshminë. Frroku i ka thënë gjykatës se dëshmitarin e keni të sajuar dhe është i blerë. Nga ana e saj, prokuroria reagoi: “Ai erdhi të dëshmonte vetë!” Seanca e radhës pritet rrëfimi i gruas së personit që dëshmoi dje si dhe dëshmitarët e mbrojtjes së Frrokut. Këta të fundit pritet të japin versionin e tyre mbi vendndodhjen e të pandehurit remontin kur ka ndodhur vrasja e Lamajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat