Vrasja e babait të emigrantëve në Koplik, bie pista e grabitjes

Shqipëria

Vrasja e babait të emigrantëve në Koplik, bie pista e grabitjes

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 10:57

Vrasja e 63 vjeçarit Pashk Mujaj, në fshatin Vukpalaj, të Malësisë së Madhe, dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta. Lajmi është bërë i ditur për “Shekullin” dje nga burime të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës si dhe të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Rënda. Sipas hetuesve të cilëve iu referohen krerët Policisë, vrasja mund të ketë ndodhur për motive të dobëta, apo për motive të tjera, të cilat po punohet për t’u sqaruar. Në këtë mënyrë hetuesit duket se kanë përjashtuar mundësinë që Mujaj të jetë vrarë gjatë një tentative grabitjeje në banesën e tij. Të njëjtat burime konfirmuan dje për “Shekullin”, se gjatë kontrolleve të kryera në fshat menjëherë pas marrjes së informacionit, nga shërbimet e policisë që kishin ngritur disa postblloqe, është arrestuar edhe një person që është kapur me një armë zjarri pistoletë. Burimet thanë se ende nuk ka ndonjë konfirmim nëse personi i arrestuar mund të ketë lidhje me vrasjen apo jo, por se sipas tyre ai po verifikohet. Sipas tyre mundësitë që të gjendet një lidhje mes të arrestuarit me pistoletë si dhe vrasjes së Pashk Mujajt, janë të pakta, por se ata po verifikojnë të gjitha pistat e mundshme.

Burime nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës thanë dje në mbrëmje se lidhur me ngjarjen ata kanë shoqëruar afërisht 15 persona, banorë të zonës si dhe ka pyetur thuajse të gjithë personat e afërm dhe fqinjë që besohet se kanë takuar përpara vrasjes Pashk Mujajn. Nuk dihen saktë rrethanat e hyrjes në banesë, por fillimisht u mendua se autorët kishin tentuar të grabisin shtëpinë e Pashk Mujajt në Malësi të Madhe dhe qëlluan 4 herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Ende nuk ka ndonjë version mbi shkaqet e mundshme të ngjarjes, por policia tha se vrasja gjatë grabitjes është përjashtuar si mundësi deri më tani. Kjo pasi dy djemtë e viktimës, të dy emigrantë në Angli, kanë pohuar për policinë se nuk është prekur asgjë nga vlerat monetare, apo sende me vlerë që ata kishin në banesë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Vukpalaj të Komunës Kastrat, në Malësi të Madhe. 63-vjeçari jetonte i vetëm në banesë pasi fëmijët i kishte në emigracion, ndërsa u zbulua martën vonë, kur ai u gjeti i vrarë nga nipi i tij në korridorin e shtëpisë.

Pashk Mujaj, 63 vjeç, jetonte i vetëm, ndërsa mbrëmjen e së martës i kishte lënë porosi nipit që të shkonte ta merrte për të shkuar në aeroportin e Podgoricës, pasi do i vinin dy djemtë nga emigracioni nga Anglia. Nga hetimet paraprake, policia dyshon se viktima, i cili ka disa plagë në trup me armë zjarri, është vrarë me pistoletë, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dyshohet se autorët kanë qenë në dijeni se Pashk Mujaj do të ikte nga banesa për t’ju dalë djemve në aeroport dhe kanë menduar se askush nuk ndodhet ne banesë, mirëpo në momentin që kanë hapur derën kanë parë të moshuarin, nga frika se viktima ka njohur grabitësit, këto të fundit kanë qëlluar disa herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Sipas familjarëve të të moshuarit, 63- vjeçari kishte biseduar në fshat se do i ktheheshin fëmijët nga emigracioni dhe kjo ka bërë që grupi hetimor të hetojë pikërisht personat që kanë qenë në dijeni për këtë fakt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat