Nisma e qeverisë, hartimi i projektligjeve nga një grup i veçantë

Shqipëria

Nisma e qeverisë, hartimi i projektligjeve nga një grup i veçantë

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 09:53

Ndryshon skema për hartimin e projektligjeve. Qeveria ka ndërmarrë një nismë të re me synimin për të rritur cilësinë e drafteve ligjore duke e përqendruar hartimin e tyre në duart e një grupi të posaçëm pune. Pohimi këtë nismë të re u bë dje nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, e cila ishte pjesëmarrëse në mbledhjen e nën/komisionin “Për të Drejtat e Njeriut” ku u diskutua dokumenti politik i bashkëpunimit mes shtetit dhe shoqërisë civile. “Me urdhër të posaçëm të kryeministrit është ngritur një grup pune i cili po përpiqet të ndërtojë procesin e draftimit të ligjeve me synimin e artë për ta bërë një proces absolutisht më cilësor. Pikë thelbësore në gjithë këtë proces është bashkëpunimi me shoqërinë civile”, - deklaroi Felaj.

Ndërsa zëvendësministri i Integrimit, Gentian Elezaj tha se për shkak të domosdoshmërisë së përfshirjes së shoqërisë civile në këtë proces po punohet për ngritjen e një Këshilli Kombëtar të Shoqërisë Civile. “Po punohet për ndërtimin e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile i cili do jetë organi më ekzekutiv i asaj çka përmbahet në kartë, i atyre parimeve”, - deklaroi ai. Ndërsa më herët, në nisje në mbledhjes, kryetarja e nënkomisionit Vasilika Hysi sqaroi lidhur me nismën për të zyrtarizuar bashkëpunimin mes shtetit dhe shoqërisë civile. “Në kuadër të kësaj nisme është menduar që kuvendit ti propozohet një rezolutë. Ky do të jetë një angazhim politik i kuvendit në raport me shoqërinë civile por dhe për të caktuar parimet mbi të cilat do të organizohet ky bashkëpunim”, - sqaroi Hysi. Ajo theksoi se rritja e pjesëmarrjes së shoqërisë civile ka qenë një parim i rëndësishëm dhe shumë më herët që me ligjin “Zela” ndërsa shtoi se ky bashkëpunim është ritheksuar dhe në rezolutën e miratuar nga Kuvendi në vitin 2013.

Karta e bashkëpunimit

Dokumenti politik i bashkëpunimit midis shtetit dhe shoqërisë civile synon zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis shoqërisë civile dhe qeverisjes në nivel qendror e vendor, duke krijuar një klimë përherë më të favorshme e të qëndrueshme në funksion të mirëkuptimit e bashkëpunimit. Ky dokument nuk përbën një detyrim ligjor por një angazhim politik, angazhim i cili njeh publikisht shoqërinë civile si aktor social kyç. Të dyja palët shprehin dhe përcaktojnë në këtë dokument angazhimet e tyre reciproke me qëllim, forcimin e demokracisë nëpërmjet pjesëmarrjes më të madhe të shtetasve, rritjen e përkujdesit që ekonomia e tregut të mos diktojë një shoqëri tregu por të sigurojë një kohezion më të madh social.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat