Financat: Nuk ka vendim zyrtar për rritje taksash

Shqipëria

Financat: Nuk ka vendim zyrtar për rritje taksash

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 09:50

Diskutimeve në media, përgjatë dy ditëve të fundit, për sa i përket rritjes së taksave, ministria e Financave përgjigjet se nuk ka asnjë vendim zyrtar. Rritja e taksave, për ato aktuale, apo futja e taksave të reja, janë vetëm në tavolinë diskutimi dhe nuk është marrë asnjë vendim. Ministria e Financave shprehet se grupi i punës që po merret me shqyrtimin e paketës fiskale është rreth 40 veta. I kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, kreu i Konfindustria, Gjergji Buxhuku, u shpreh: “Deri më sot, pranë Konfindustrisë nuk ka ardhur zyrtarisht draft propozimet nga ekzekutivi për paketën fiskale”. Përpara disa kohësh, ministria e Financave, e këshilluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, deklaroi se do të kishte një rishikim të paketës fiskale. Madje, vetë ministri Shkëlqim Cani, është shprehur se FMN-ja ka sugjeruar futjen e taksave të reja. Diskutimet janë, se do të ketë disa rritje taksash në paketën fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm. Dy nga taksat që pritet të kenë ndryshime janë akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale. Me ndryshimin e qeverisjes, një vit më parë u ndryshua dhe mënyra e përllogaritjes së kësaj takse.

Kështu, tatimi mbi të ardhurat personale të pagës së të punësuarve, kaloi nga tatimi i sheshtë 10 për qind, në tatim progresiv. Ndërkohë një ndër taksat më të debatuara për rritjen e saj dhe efektet direkte që jep tek qytetarët ishte ajo e akcizës. Por edhe pse biznesi ka paraqitur propozimet e saj për qeverinë për këtë paketë, ndryshimet dhe negociatat për këtë paketë do të vazhdojnë deri në momentet e fundit. Sipas parashikimeve, gjithë efekti financiar që do të ketë paketa fiskale në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm pritet të jetë në rreth 10 miliardë lekë. Gjithashtu, diskutohet se pritet rritje e taksës së qarkullimit dhe tatimi mbi dividentin dhe të ardhura të tjera. Aktualisht, taksa e qarkullimit është 17 lekë për çdo litër karburant dhe pritet që fillim të vitit pasardhës të bëhet 27 lekë, pa përfshirë edhe TVSH-në, që e rrit këtë vlerë dhe me 5.4 lekë të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat