Mielli i Kosovës mund të përdoret në Shqipëri, por jo për bukë

Shqipëria

Mielli i Kosovës mund të përdoret në Shqipëri, por jo për bukë

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 18:34

Mielli me nivel proteinash më të ulët se 12.5 për qind do të lejohet në treg, por jo për prodhim buke, ka thënë ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti.
Mielli nga Kosova i cili ka nivel proteinash deri në 9 për qind do të mund të eksportohet në Shqipëri, por ai nuk do të mund të përdoret për prodhim të bukës, pasi Shqipëria këmbëngul që mielli për prodhim të bukës duhet t’i plotësojë standardet e kërkuara.

Kjo është deklarata zyrtare e ministrit të Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti, i cili ka thënë se ata do të lejojnë që mielli më përqindje të proteinave nën 12 do të lejojnë që të qarkullojë në treg, por ai nuk do të përdoret për prodhim të bukës.

“Nuk ka asnjë lloj tërheqjeje pozicioni nga ana ime. Standardi i bukës do të jetë ai që kam deklaruar”.

“Mielli ka shumë destinacione përdorimi dhe ne nuk kemi asnjë të drejtë të krijojmë situata monopol dhe të ndalojmë miellin që përdoret jo për destinacion buke, por që mund të përdoret për baza picash apo për produkte të tjera brumi, të cilat kërkojnë nivel të ulët proteinike, ndryshe nuk përgatiten”.

“Pra ne do të lejojmë që mielli me zero, apo me përqindje të ulët proteinike prej 9 për qind të qarkullojë, por të mos përdoret për prodhim buke”. është shprehur ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Ndërkaq, prodhuesit e miellit bënë të ditur se do të vazhdojnë t’i mbajnë të mbyllura fabrikat, deri sa qeveria ta zyrtarizojë marrëveshjen duke nxjerrë aktet ligjore.

Panariti tha se qeveria është e angazhuar për këtë.

“Ne jemi në mbrojtje të interesave të tyre, jo në konflikt me ta. Ne duam vetëm që çdo gjë të rregullohet edhe në raport me detyrimet që kemi ne me të tretët: me Organizatën Botërore të Tregtisë, e cila na detyron neve të mos vendosim barriera në tregtinë e lirë, mos krijojmë situata monopol, nga ana tjetër të jemi të qartë dhe të saktë për karakteristikat që mielli duhet të ketë për destinacionin ku ai është drejtuar”, vijoi më tej ministri Panariti.

Vetëm pak javë më parë, Ministria e Bujqësisë, përmes një urdhri, ndaloi importin e miellit me nivel më të ulët proteinash se 12.5 për qind.

Kjo çoi në bllokimin e importeve për miellin që vjen kryesisht nga Kosova, i cili ka nivel proteinash 9 për qind. Panariti mohoi që ndryshimi i urdhrit të ketë lidhje me këtë çështje.

“Kjo nuk lidhet fare me miellin e Kosovës, Shqipëria nuk importon miell vetëm nga Kosova. Importon miell nga të gjitha drejtimet, edhe nga Bashkimi Europian me përqindje nën 30 për qind. Nuk lidhet kjo me situatën e Kosovës, sepse është krijuar një mit sikur kjo bëhet për shkak të një lufte tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që është absolutisht e pavërtetë.

Unë kam shqetësime edhe nga prodhues të tjerë shqiptarë, të cilët prodhojnë vetëm pica dhe ëmbëlsira dhe thonë se ne duhet ta rregullojmë këtë me akt normativ, dhe kështu do të bëjmë”, përfundoi ministri Panariti.

Fabrikat vendase prodhojnë miell me nivel proteinash 12.5 për qind. Sipas tyre, importi i miellit me 9 për qind proteina dhe përdorimi i tij për prodhim buke, jo vetëm që shkatërron industrinë vendase, por përbën rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve. (Top Channel).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat