Vendimet e qeverisë, ja personat që nuk paguajnë tarifë shkollore

Shqipëria

Vendimet e qeverisë, ja personat që nuk paguajnë tarifë shkollore

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 17:17

Publikohen vendimet e miratuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave. Qeveria publikon vendimin për shtresat sociale, që do të përjashtohen ose do t'u reduktohet, tarifa shkollore.

Me vendimin e ri të qeverisë nuk do të paguajnë tarifë vjetore të shkollimit studentët në “Barchelor” dhe nxënësit në parashkollor, që kanë këto statuse:
- personat që nuk shikojnë/dëgjojnë
- invalidët e punës dhe fëmijët e tyre;
- invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre;
- jetimët;
- romët;
- ballkano - egjiptianët;
- personi, njëri nga prindërit e të cilit është ndarë nga jeta, dhe familja, në këtë rast, përfiton ndihmë ekonomike nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore;
- ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga sistemi komunist ose fëmijët me prindër të dënuar politikë me heqje lirie;
- fëmijët e policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura që kanë humbur jetën ose janë plagosur për shkak të detyrës;
- të prekurit nga HIV/AIDS

Ndërsa po këto shtresa sociale do të paguajnë 50 për qind të tarifës për ciklin e dytë shkollor “master profesional”, “master shkencor” ose “master të arteve të bukura” për vitin akademik 2014 - 2015.

Gjithashtu Qeveria i heq masën e pezullimit të veprimtarisë universitetit privat “Logos”. Në vendimet e Këshillit të Ministrave miratohet krijimi i Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, që ofron shërbime në sportele të integruara për qytetarët, siguron cilësinë e shërbimeve.

Pjesë e vendimeve të qeverisë janë bërë edhe shpronësimet e pronave private që prekin pjesë të segmentit rrugor Tiranë – Elbasan, “By-pass Shkozet-plepa”, “Ura e Matit, Burrel” dhe “By-pass Durrës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat