Imami i kthyer nga jashtë predikon xhihad në Tiranë

Shqipëria

Imami i kthyer nga jashtë predikon xhihad në Tiranë

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 10:52

Prokuroria i sugjeron Komunitetit Mysliman Shqiptar të marrë nën administrim xhaminë e Unazës së Re në Tiranë, pas dyshimeve për riaktivizimin e elementëve radikalë. Tetë muaj pas arrestimit të imamit të vetëshpallur të kësaj xhamie, Genci Balla, i akuzuar për rekrutimin e luftëtarëve shqiptarë në Siri, sinjalet e marra nga organet e sigurisë tregojnë për aktivitet të mundshëm radikal në objektin që nuk njihet nga KMSH.
Pas sinjaleve të marra në lidhje me predikimet radikale në xhaminë në fjalë, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dërguar Komunitetit Mysliman informacionet që disponon, duke rekomanduar marrjen e xhamisë në fjalë nën administrim. Burime jozyrtare të KMSH kanë thënë dje se nuk janë në dijeni të informacionit të përcjellë nga Prokuroria dhe se parimisht nuk mund të ndërhyjnë në xhaminë në fjalë, pasi ajo nuk është ndërtuar dhe as legalizuar nga Komuniteti Mysliman.

Tetë muaj më parë, SHISH dhe Prokuroria arrestuan 13 persona të akuzuar se kanë rekrutuar dhe dërguar në Siri më se 85 shtetas shqiptarë, disa prej të cilëve janë vrarë gjatë luftimeve atje. Baza kryesore e aktivitetit të rekrutimit sipas hetimeve ka qenë pikërisht xhamia e Unazës së Re në Tiranë, ku dyshohet se imami i vetëshpallur Genci Balla predikonte xhihad në Siri para besimtarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat