Kodi Rrugor, deputetët votojnë në parim rritjen e gjobave

Shqipëria

Kodi Rrugor, deputetët votojnë në parim rritjen e gjobave

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 09:19

Rritja e gjobave për shkelësit e rregullave të parashikuara në Kodin Rrugor hasi një tjetër pengesë dje në parlament. Pas Komisionit të Ligjeve, edhe deputetët e Komisionit të Sigurisë kanë kërkuar sqarime shtesë duke mos kursyer as kritikat ndaj draftit të ardhur nga Qeveria. Sipas kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho duhet të vijë një Kod i ri Rrugor, i plotë dhe jo arnime të kodit aktual. Ndërsa disa nga deputetët socialistë, por dhe deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi janë shprehur kundër rritjes së gjobave që prekin direkt qytetarët. Në këtë mbledhje nuk munguan as replikat mes deputetëve.

Debatet në komision

Komisioni i Sigurisë është përfshirë dje në debate sa i përket ndryshimeve në Kodin Rrugor të cilat sjellin 10-fishim të gjobave kryesisht për dëmtimin e rrugëve por dhe rritje të gjobave në rastin e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve. Deputeti socialist Paulin Sterkaj kërkoi sqarime lidhur me masat që parashikohen në projektligj, duke theksuar se përfaqëson një komunitet dhe kur deputetët nuk janë të qartë për atë çka propozohet, atëherë si mund të jetë të qartë qytetarët. “Kush duhet ta zhdëmtojë rrugën, shoferi që shkakton dëmin apo kompania ku ka bërë siguracionin?”, - kërkoi sqarime Sterkaj. Juristi i Ministrisë së Transporteve, Eni Culli sqaroi se bëhet fjalë për ndërhyrjet në rrugë, çarje apo shembje të mureve ndarëse, nuk bëhet fjalë për ata që përfshihen në aksidentin rrugor. Por sërish Sterkaj ka kërkuar sqarime çka ka sjellë dhe reagimin e kryetarit të komisionit, Spartak Braho. “Mos bëjmë shpikje këtu”, - pohoi Braho duke i ardhur në ndihmë përfaqësuesit të ministrisë. “Unë përfaqësoj një komunitet këtu dhe kërkoj shpjegime. Mos më merr mua referencë këtu, kur nuk jemi ne të qartë si mund të jenë qytetarët. Baba Taku mos përdor ironinë me mua”, - iu kundërpërgjigj Sterkaj duke shkëmbyer replikat me Brahon. Deputeti Pjerin Ndreu ngriti një tjetër shqetësim, kushtet që ofron shteti për drejtuesit e mjeteve.

“Në qoftë se pesha e masave shkon gjithmonë nga individi, nuk kuptoj qeveria çfarë bën për t’i krijuar kushte individit që t’i zbatojë korrekt këto masa”, - deklaroi ai. Ndërkohë që ligjvënësi i PDIU-së, Aqif Rakipi ka pyetur se kush paguan nëse një automjet prishet për shkak të defekteve në rrugë, apo më keq akoma kur ndodhin aksidente me pasoja të rënda, deri në humbje jete, për shkak të rrugëve. Përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme pranoi se ka pasur raste të tilla të cilat kanë përfunduar në gjykatë. Për deputetin Arben Çuko, 10-fishimi i gjobave është një kosto drejtpërdrejt për qytetarët dhe kjo mund të sjellë reagime. Të gjitha këto debate bënë që Braho të propozonte kthimin mbrapsht të draftin dhe sjelljen e një Kodi Rrugor tërësisht të ri. “Ligji ekzistues i Kodit Rrugor ka rreth 230 nene dhe këtu vijnë për ndryshim 30 dispozita të këtij ligji ndërkohë që vetë ligji është i viti ‘98. U shtrua ideja pse nuk vjen një kod i ri, pse në bëjmë arnime dhe nuk bëjmë punë me themel për të sjellë kodin e ri?”, - tha ai. Por juristi Culli sqaroi se masat që ndryshojnë janë emergjente edhe pse ndërkohë ka nisur puna për një kod të ri rrugor. Një tjetër debat i zhvilluar mes deputetëve ishte ai për masat e marra nëse kalohet rruga me semafor të kuq. Gjoba që ishte 5- 25 mijë lekë, bëhet 40 - 50 mijë lekë. Nëse kjo shkelje ripërsëritet brenda një viti atëherë drejtuesit të mjetit i hiqet patenta nga 9 deri në 12 muaj.

“Ku e keni marrë ju këtë sugjerim, e keni marrë nga Italia? Italia e ka me pikë edhe Gjermania ashtu e ka. Edhe në drejtim të gjobave duhet ti referohesh një çikë sa e kanë rrogën shqiptarët. Se këtu i bie që me këto gjoba që vini ju, rrogën shqiptarët ta kenë 5 mijë euro e 6 mijë euro, kur këtu nuk marrin më shumë se 300 apo 400 mijë lekë rroga. Ti i ve një njeriu 300 mijë lekë gjobë, ai njeri s’ka ku ti marrë ato lekë për të paguar. Plus që thua për semaforin, deri më sot ne na rezulton se kush ka hyrë me semafor të kuq, direkt i është hequr patenta”, - deklaroi Aqif Rakipi. Ndërsa Sterkaj kërkoi statistika për aksidentet në rrugë. “Me statistika, këto 50 vrasjet kanë ndodhur vetëm në Tiranë apo në gjithë Shqipërinë. Semafor në Shqipëri ke vetëm në Tiranë e Durrës, pra nuk është semafori gogoli”, - deklaroi ai. Ligjvënësi socialist shtoi se në përgjithësi masat e marra janë ekstreme. “Pse të jemi kaq ekstrem, komunizmin e kemi pas ekstrem,edhe kapitalizmin ekstrem. Pse nuk shkojmë më butë kur të ardhurat janë mesatarisht 40 mijë lekë. Gjoba nuk mund ti marrë gjithë muajin. Çfarë do bëjë ai, do inkriminohet që të çojë bukën te shtëpia. Qëllimi i gjobave duhet të jetë pjesë dytësore jo parësore, këtë e kemi pasur në program si qeveri ne, jo të vemi gjoba, por të rregullojmë rrugën. Ulni këto masa drastike se s’ndodhin kurrkund në Evropë”, - sugjeroi ai. Pas diskutimeve drafti mori votën në parim.

Masat ndëshkuese

Vendosja e rripit të sigurimit

Ishte

Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jo madhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në momentin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije.

Bëhet

Në pikën 8, fjalët “... nga pesëqind deri në një mijë pesëqind lekë ...” zëvendësohen me “... nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë ...” dhe në fund shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:“Në rast se është drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 6 (gjashtë) deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj.”.

Kalimi me semafor të kuq

Ishte

Drejtuesi i mjetit që vazhdon lëvizjen, ndonëse sinjalizimi i semaforit ose i policit të trafikut e ndalojnë këtë lëvizje, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë, si dhe me masë plotësuese administrative me pezullimin e lejedrejtimit nga 6 deri në 12 muaj.

Bëhet

Drejtuesi i mjetit që vazhdon lëvizjen, ndonëse sinjalizimi i semaforit ose i policit të trafikut e ndalojnë këtë lëvizje, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet mijë deri në pesëdhjetë mijë lekë, si dhe me masë plotësuese administrative me pezullimin e lejedrejtimit nga 9 muaj në 1 vit nëse përsëritet brenda vitit.

Batutat në Komisionin e Sigurisë

Paulin Sterkaj: Sa për saktësim, ju thatë që duhet të riparojë rrugën e dëmtuar, kush, shoferi apo siguracioni? Ky është një detaj që nuk funksionon kurrkund në botë në këtë mënyrë. Nuk e the qartë, ju thatë se individi do të paguaj dëmin në rrugë, po individi është i siguruar dhe për çfarëdo lloj dëmi duhet të përgjigjet siguracioni i tij.

Eni Culli: Kur parashikohet risjellja e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme, e kemi për ata persona apo subjekte që bëjnë çarje e hyrje, dalje të padrejta të rrugës. Këto janë rastet kur detyrohet rikthimi në gjendjen e mëparshme të rrugës. Këtu kemi vendosur 10-fishimin e gjobës. Nuk bëhet fjalë për rastet e një aksidenti duke humbur jetën, apo duke u përplasur me një person tjetër.

Paulin Sterkaj: Nuk jam i qartë, duhet të sanksionohet më mirë. Ndryshe është kur dikush do të hapë një rrugë në autostradë dhe e prish, ajo është tjetër gjë, por kur mjeti ka një drejtues, një siguracion, ai nuk duhet të përgjigjet.

Spartak Braho: Të lutem mos bëjmë shpikje këtu.

Paulin Sterkaj: Baba Taku mos përdor ironi me mua...

Spartak Braho: Jo, unë s’po përdor ironi.

Paulin Sterkaj: Në rregull të lutem, shih pozicioni tënd, shprehu për diskutimin.

Spartak Braho: Po deshe të dish ti unë kam një qëndrim tjetër...

Paulin Sterkaj: Shprehu për diskutim po mos më merr mu për referencë. Unë jam deputet, dua të jem i qartë. Kështu mos më merr më në referencë se më ofendon

Spartak Braho: Dakord në qoftë se ti e merr për ofezë!

Paulin Sterkaj: Më ofendon kur ti përdor ironi.

Spartak Braho: Jo, ironi jo, të jesh i bindur.

Paulin Sterkaj: Unë jam pjesë e mazhorancës, dua të qartësohem plotësisht për atë që kërkoj.

Spartak Braho: Urdhëro edhe një herë me saktësi dhe koncepte të drejta ligjore.

Përfaqësuesi i ministrisë: Zoti deputet në rastin e një aksidenti kur është fajtor drejtuesi i mjetit, detyrimin për likuidimin e dëmit e ka drejtuesi i mjetit. Në qoftë se ky drejtues mjeti është i siguruar për çdo lloj dëmi që shkakton, kuptohet që e paguan shoqëria e sigurimit, por detyrimin e ka fajtori, që në rastin e një aksidenti kur del fajtor drejtuesi i mjetit, ky duhet të shlyejë dëmin.

Aqif Rakipi: Po kur është rruga e prishur, mungon sinjalistika apo janë hequr kapakët e pusetave dhe dëmtohet makina ose shoferi, kush e paguan dëmin? E keni parashikuar këtë në projektligj?

Eni Culli: Në shumë raste autoriteti rrugor ka qenë në gjyq për të dëmshpërblyer drejtuesin e mjetit që ka bërë aksident për shkak të mangësive në rrugë...

Aqif Rakipi: Po ne kemi raste që kanë vdekur edhe njerëz dhe nuk kemi parë ndonjëherë të marrë ndonjëri dëmshpërblim deri më sot.

Spartak Braho: Ligji ekzistues i Kodit Rrugor ka rreth 230 nene dhe këtu vijnë për ndryshim 30 dispozita të këtij ligji ndërkohë që vetë ligji është i viti ’98. U shtrua ideja pse nuk vjen një kod i ri, pse në bëjmë arnime dhe nuk bëjmë punë me themel për të sjellë kodin e ri.

Eni Culli: Ajo që thatë ju është e drejtë, ne kemi ngritur një grup të ri pune për të bërë një kod të ri rrugor, por masat që janë në këtë projektligj janë masa që nuk presin sa të bëhet kodi i ri.

Spartak Braho: Unë, në qoftë se do të kem mbështetjen e komisionit, do të kërkoj që ky projektligj të kthehet mbrapsht.

Përfaqësuesi i Ministrisë: Ne kemi rritur masën e gjobës deri në 500 mijë lekë të vjetra si edhe për ripërsëritje të shkeljes së semaforit të kuq, i hiqet leja e drejtimit. Pra japim mundësi që me herën e parë ai të marrë vetëm masë administrative.

Aqif Rakipi: Ku e keni marrë ju këtë sugjerim, e keni marrë nga Italia? Italia e ka me pikë edhe Gjermania ashtu e ka. Edhe në drejtim të gjobave duhet ti referohesh një çikë sa e kanë rrogën shqiptarët. Se këtu i bie që me këto gjoba që vini ju, rrogën shqiptarët ta kenë 5 mijë apo 6 mijë euro, kur këtu nuk marrin më shumë se 300 apo 400 mijë lekë rroga. Ti i ve një njeriu 300 mijë lekë gjobë, ai njeri s’ka ku ti marrë ato lekë për të paguar. Plus që thua për semaforin, deri më sot ne na rezulton se kush ka hyrë me semafor të kuq, direkt i është hequr patenta. Unë kam qenë vetë në një rast, unë nuk hyra me semafor të kuq, dhe nuk hyra me gjithë mend, dhe u bind polici vetëm në saj të asaj që unë isha deputet. Po ta them me pastërti, po të ishte shofer tjetër atij do i hiqej patenta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat