"Gjermanët na mësojnë punën, ne u mësojnë ta marrin jetën më lehtë"

Shqipëria

"Gjermanët na mësojnë punën, ne u mësojnë ta marrin jetën më lehtë"

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 23:42

Gjermania është një vend i madh që nuk e shohim vetëm si partner me rendësi strategjike për zhvillimin e vendit, por edhe si burim lidershipi për ecurinë e të gjithë rajonit. Ky është vlerësimi që Kryeministri Edi Rama bëri për shtetin gjerman në ditën e partneritetit shqiptaro-gjerman.

Kryeministri preferoi ta nisë me humor fjalën e tij në ditën e bashkëpunimit shqiptaro-gjerman, duke thënë se ky është një rast fitimi nga të dyja palët. Ai nuk i kurseu batutat lidhur me ndryshimin që ekziston mes shqiptarëve dhe gjermanëve: "Sa herë flitet për bashkëpunimin e ngushtë Shqipëri-Gjermani ose Gjermani-Shqipëri, mua më kujtohet gjithmonë, historia e një çifti miqsh shqiptaro-gjerman me fëmijë përsosmërisht dy gjuhësh, të cilët kur pyeteshin për detyrat përgjigjeshin gjithmonë në gjermanisht, kurse kur bënin shaka ose gënjenin, e bënin vetëm shqip. Edhe kështu, jeta ishte më e bukur."

Duke iu drejtuar ambasadorit gjerman në vendin tonë, Hellmut Hoffmann, Rama tha se shqiptarët duhet të mësojnë nga gjermanët për punën, por ajo që gjermanët duhet të mësojnë nga shqiptarët është që ta marrin jetën më lehtë. "Ambasadori tha që gjermanët kanë një shprehje, “bëj gjëra të mira dhe pastaj fol për to”. Kurse ne e kemi ndryshe, “fol sa të mundesh dhe lëri gjërat të bëhen vetë”. Për këtë arsye, besoj kemi shumë çfarë t’i japim njëri-tjetrit. Gjermanët kanë shumë për të na mësuar sesi të bëhemi punëtorë më të mirë dhe ne kemi mundësi t’ju mësojmë gjermanëve se pse duhet ta marrin jetën më lehtë, se jeta është shumë më e shkurtër se ç’ju duket gjermanëve”, tha Rama.

"Kancelarja Merkel, inkurajim për Shqipërinë dhe Ballkanin, garanci për Evropën e Bashkuar"

Kreu i Qeverisë shprehu vlerësimin e lartë për angazhimin e Gjermanisë në rajon dhe posaçërisht për angazhimin me Shqipërinë. Duke falënderoi kancelaren gjermane Merkel, që i ka qëndruar gjithmonë pranë Ballkanit, pavarësisht lëkundjeve që ka kaluar ai, Rama vlerësoi rolin e saj, pasi qëndron si një garanci për një Evropë të bashkuar, pavarësisht kërcënimeve ndaj saj: “Merita e kancelares në raport me ne dhe rajonin, është se në këtë moment çorodie dhe pasigurie që ka kapluar Evropën, ajo i dha Ballkanit, shqiptarëve dhe Shqipërisë, një perspektivë inkurajuese dhe një shpresë të rilindur, si dhe mundësinë për të ecur para pavarësisht turbullirave dhe lëkundjeve që kalon sot Evropa e bashkuar.

Kreu i qeverisë deklaroi se angazhimi dhe bashkëpunimi me Gjermaninë, e vënë Shqipërinë përballë një përgjegjësie të dyfishtë. Sipas tij nga njëra anë Shqipëria përballet me kërkesën për të qenë në lartësinë e këtij partneri serioz në marrëdhëniet dypalëshe, dhe nga ana tjetër me rolin e saj për Evropën. "Angazhimi rajonal dhe bashkëpunimi që Gjermania kërkon me vendet e gjithë rajonit dhe përkatësisht edhe me Shqipërinë, sot na vendos përpara një përgjegjësie të dyfishtë. Përgjegjësia e natyrshme e të qenit në lartësinë e një partneri kaq serioz në bashkëpunimin dypalësh dhe përgjegjësia e të qenit në lartësinë e rolit që ky partner lider për Evropën kërkon nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera të rajonit në këtë moment jashtëzakonisht delikat", tha Rama.

"Projektet gjermane, funksionale që në ditën e parë"

Kreu i qeverisë deklaroi se projektet gjermane janë funksionale dhe se kanë sjellë në vend një kulturë administrimi, veçanërisht projektet e investuara nga KfW-ja në sektorin e ujit, që funksionojnë ashtu sikundër janë parashikuar në ditën e parë: "Nuk dua që të tjerë të pranishëm ose të papranishëm, donatorë të rëndësishëm ose më pak të rëndësishëm ta marrin ters, por nuk mund të rri pa e nënvizuar sot, në këtë ditë të shënuar, që Gjermania dhe posaçërisht Banka Gjermane për Zhvillim, KfË, është një donator i një natyre shumë të posaçme. Sepse është një donator që nuk sjell vetëm para dhe nuk sheh vetëm realizimin e projekteve në kornizën e ngushtë të tyre, por është një donator që sjell kulturë administrimi.

Nuk është e rastit, që, nëse shohim sot hartën e projekteve të investuara nga burime të ndryshme financimi në sektorin e ujit, të vetmet projekte që funksionojnë ashtu sikundër janë parashikuar në ditën e parë, janë projektet e financuara nga KfË-ja. Ndërkohë që kemi dhjetëra projekte, të cilat madje konsiderohen të përfunduar, nga financime të huaja, që sot nuk funksionojnë në këtë sektor. Kemi sisteme përpunimi të ujërave të ndotura, kemi ujësjellës të dorëzuar që nuk funksionojnë prej vitesh, madje që janë në një proces degradimi, sot", u shpreh Kryeministri.

"Gjermania, model për arsimin profesional"

Arsimi profesional është një nga fushat kryesore të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Kryeministri e cilësoi modelin gjerman të arsimit profesional një histori suksesi dhe një alternativë reale punësimi. “Ajo që na ka bërë të lumtur ka qenë shpejtësia për të venduar në një fokus të ri arsimin profesional, si një alternative reale punësimi për vendin dhe alternativë baraspeshe sociale për vendin. Jo thjesht modeli gjerman si model suksesi, por edhe kultura që përcillet në këtë aspekt e në këtë fushë është një bazë e mirë, që të besojmë se mund t’ia dalim edhe pse e dimë dallimin mes një punëtori gjerman dhe një shqiptari. Megjithatë jam i bindur që modeli funksionon dhe se sistemi i bashkërendimit të energjive dhe punës në funksion të kultivimit të zanateve, do të na japë rezultat cilësor dhe sasior në këtë drejtim", u shpreh Rama.

Haxhinasto: Gjermania i dha 900 milionë Euro Shqipërisë

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës së Bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani, ku prezantoi disa nga strategjitë dhe sfidat me të cilat përballet sektori i ujësjellës-kanalizime. Në fjalën e tij Haxhinasto tha se Gjermania ka investuar në vendin tonë rreth 900 milionë euro në ato sektorë që sjellin një impakt të madhe në zhvillimin e vendit.

“Bashkëpunimi është shumë i hershëm. Ai ka filluar që në vitin 1988, dhe nga atëherë janë investuar rreth 900 milion euro, në fusha të ndryshme. Gjermania është fokusuar në ato sektorë, të cilët sjellin një impakt shumë të madh në zhvillimin e vendit, në dhënien e shërbimeve cilësore publike ku midis të tjerave uji zë një vend të veçantë, siç e pamë edhe nga shifrat, ku 30 për qind e investimeve kanë shkuar për fushën e ujit. Pra është një investim i konsiderueshëm dhe sigurisht është momenti për të falënderuar qeverinë gjermane dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare. Dëshiroj të përfitoj nga ky rast, ti falënderoj ato për gjithçka që kanë bërë në këtë sektor të rëndësishëm.

Do të shprehja mbështetjen time tek projekti që ne kemi në agjendën tonë të përbashkët edhe për të ardhmen, pasi pavarësisht këtyre rezultateve, sektori ka një nevojë të jashtëzakonshme për të vazhduar programet e bashkëpunimit dhe këtu Gjermania, Banka Botërore edhe institucione të tjera, janë të mirëpritur për të bashkëpunuar. Rëndësia kryesore për këtë sektor ka të bëjë me atë që gjithçka që bëhet për sektorët të mos shikohet si një investim thjeshtë fizik, por si një investim fizik për të arritur një shërbim të caktuar, dhe në qoftë se e adoptojmë këtë përqasje produkti do të jetë cilësi më e mirë shërbimi për qytetarët”, tha ministri Haxhinasto. Sipas tij sfidat kryesore të qeverisë shqiptare janë zvogëlimi i humbjeve të energjisë në rrjet, menaxhimi dhe rritja e kapaciteteve njerëzore jo vetëm për rrjetin energjetik, por edhe atë ujor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat