Shqipëria zgjidhet për herë të parë në KDNJ

Shqipëria

Shqipëria zgjidhet për herë të parë në KDNJ

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 18:50

Shqipëria zgjidhet për herë të parë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ), pas zgjedhjeve të mbajtura sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Anëtarësimi në këtë organ ndërkombëtar do të zgjasë tre vite.

Në një deklaratë për mediet, Ministria e Punëve të Jashtme, kjo “përbën njëherazi vlerësim dhe garanci për angazhimin e përhershëm të vendit tonë në çështjet e të drejtave të njeriut në të gjitha frontet”. Ministria nënvizon se vendi ynë ka shumë për t’i ofruar botës nëpërmjet vlerave që e karakterizojnë: harmonia fetare, përkushtimi për fqinjësi të mirë, toleranca dhe mikpritja, si dhe përvoja e përftuar gjatë reformimit të gjithanshëm që ka kaluar vendi.

“Gjatë anëtarësisë së saj 3 vjeçare në KDNJ, Republika e Shqipërisë do të angazhohet për universalizimin dhe pandashmërinë e të drejtave të njeriut, për forcimin e tyre dhe të infrastrukturës së sistemit të OKB-së, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të Këshillit. Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e saj për përmirësimin dhe zbatimin e kuadrit ligjor dhe institucional, si dhe për avancimin më tej të politikave kombëtare dhe ndërkombëtare, në mbrojtje të të drejtave të njeriut”- thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut është një organizatë ndërkombëtare dhe organ i OKB-së me 47 vende anëtare, të cilat janë përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat