Xhihadistët e xhamisë së Tiranës, Prokuroria kërkon ndihmën e Komunitetit Mysliman

Shqipëria

Xhihadistët e xhamisë së Tiranës, Prokuroria kërkon ndihmën e Komunitetit Mysliman

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 18:27

Pas arrestimit të imamit të vetëshpallur, Genc Balla, Prokuroria kërkon nga Komuniteti Mysliman të marrë nën administrim Xhaminë e Unazës së Re.

Një burim pranë Prokurorisë tha për "A1 Report" se, pas informacioneve të marra në terren nga shërbimet e inteligjencës ka rezultuar se në këtë xhami janë riaktivizuar predikimet e rrymës radikale të fesë islame.

I njëjti burim sqaroi se, nga Komuniteti Mysliman kanë marrë përgjigje negative për marrjen në dorëzim të këtij objekti kulti, pasikjo xhami nuk njihet zyrtarisht dhe predikimet që bëhen aty nuk kanë miratimin e zyrtarëve të fesë islame në Shqipëri dhe se prej kohësh bashkësia islame është distancuar nga kjo rrymë radikale.

Kjo kërkesë vjen në një kohë kur kanë kaluar 8 muaj që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për Ballën dhe 13 të arrestuar të tjerë me aktivitet të dyshimtë dhe të implikuar me dërgimin e shqiptarëve në luftën e Sirisë.

Hetimet për të arrestuarit janë ende të hapura dhe pas verifikimeve të burimeve financiare të mënyrës se si është ndërtuar xhamia në Unazën e Re do të ketë dhe vendim sekuestro nëse vërtetohet se paratë për ndërtimit e këtij objekti kulti janë të jashtëligjshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat