Kroacia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

Shqipëria

Kroacia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 15:37

Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo, zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko. Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kroacisë në nivel rajonal ishte një nga temat e diskutimit mes palëve. Leko theksoi se Kroacia mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian, duke dhënë përvojën e mbledhur dhe njohuritë e saj në këtë rrugë.

Ambasadori Melo falënderoi Leko-n për mikpritjen dhe nënvizoi se Kroacia është një vend mik i Shqipërisë, me të cilin "ndajmë interesa të përbashkëta, me marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe e me mundësi zhvillimi të mëtejshme, sidomos në aspektin ekonomik".

Në aspektin dypalësh, u theksua se mbeten të rëndësishme bashkëpunimi në kuadër të TAP dhe IAP, si edhe përfundimi i autostradës Adriatiko-Joniane (Korridori Blu). Por përveç këtyre projekteve, fusha të rëndësishme bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kroacisë u cilësuan edhe turizmi, agrikultura, infrastruktura, dhe energjia.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga zyra e Kryetarit të Parlamentit dhe personeli i ambasadës shqiptare në Zagreb. Leko, pasi i uroi mirëseardhjen në Kroaci dhe sukses në detyrë ambasadorit Melo, vuri në dukje partneritetin që ekziston mes dy vendeve dhe bashkëpunimin e pasur dypalësh edhe në kuadrin rajonal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat