Apeli i Shkodrës liron nga burgu ish-kreun e legalizimeve

Shqipëria

Apeli i Shkodrës liron nga burgu ish-kreun e legalizimeve

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 10:13

“Detyrim për paraqitje”. Ky ka qenë ky vendimi i Gjykatës së Apelit në Shkodër e dhënë si masë sigurie për ish-përgjegjësin e zyrës së legalizimeve në Shkodër, Rudi Beci, duke rrëzuar kështu masën e sigurisë “arrest me burg” që gjykata e shkallës së parë kishte dhënë ndaj tij dhe ish-drejtorit të ALUIZNI- t në Shkodër, Besnik Kastrati. Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, avokati mbrojtës Anton Kosteri i quajti pretendimet e ngritura nga prokuroria si dhe akuzat të paarsyetuara ndërsa theksoi se masa “arrest me burg” nuk i përgjigjet asnjë kushti, prandaj kërkoi shfuqizimin e këtij vendimi, që shkalla e parë e gjyqësorit e kishte dhënë në mungesë një ditë para ndalimit të Becit. I akuzuari, Rudi Beci, u pyet nga togat e zeza nëse kishte ndonjë pengesë për legalizimin e dy objekteve mbi të cilat është ngritur akuza ndaj tij dhe Kastratit, objekte këto; njëri në Shkodër dhe tjetri në Mjedë. Beci theksoi se nuk ka patur pengesa pasi më parë ai ka parë lejen studimore. “Gjithashtu, akti i kualifikimit pasi është firmosur nga vetë ai, ka kaluar në duart e drejtorit të zyrës së ALUIZNI-t, e ky i fundit më pas ka vendosur, pasi kështu është edhe procedura.

Në formularin e vetëdeklarimit janë të specifikuara të gjitha”,- shtoi ai. Lidhur me objektin e dytë, Beci argumentoi se në rastet e kalimit të pronësisë, nuk është përgjegjësi e tij asnjë veprim. Ai thjesht mban përgjegjësi për të dhënat që shkruhen nga specialistët e tjerë të ALUIZNI-t. I pyetur sërish nga gjykatësja se a kishte pengesa të tjera për legalizim, kur dihet që me planin rregullues kjo zonë nuk lejon ndërtime mbi 10 kate?, Beci shtoi: “Kjo nuk qëndron, pasi përballë këtij pallati ka të tjera ndërtime me 11 deri në 13 kate”. Ish-përgjegjësi i zyrës së legalizimeve shkoi më tej kur tha që ndërtimet janë kryer përpara vitit 2009, ndërsa vetë Bashkia ka hartuar planin rregullues pas këtij viti dhe madje disa herë që është kërkuar, ai nuk i është dorëzuar zyrës së legalizimeve. Në fund, pas shqyrtimit të të gjitha provave, dhe mbi akuzat e ngritura, Gjykata Apelit vendosi vetëm detyrim paraqitje për Rudi Becin. Ky, së bashku me ish-drejtorin, Besnik Kastrati, që pritet të dalë në Apel ditën e enjte, akuzohen se në vitin 2013-të legalizuan dy objekte në kundërshtim me ligjin.

Arrestimi

Një vit pas denoncimit për legalizimet e paligjshme në Shkodër, prokuroria kërkoi arrestimin e ishdrejtorit të degës së ALUIZNI-t dhe ish-përgjegjësit të legalizimeve. Gjykata e Shkodrës caktoi masën e “arrestit me burg” për Besnik Kastratin dhe Rudi Becin. Të dy ish-zyrtarët vendorë u akuzuan për veprën penale “shpërdorim detyre”. Besnik Kastrati dhe Rudi Beci, janë hetuar për disa muaj me radhë nga prokuroria. Denoncimi është bërë nga vetë drejtoria e përgjithshme e ALUIZNI-t. Menjëherë pas arrestimit u bë e ditur se Kastrati ka mbajtur postin e drejtorit të degës së ALUIZNI-t në Shkodër vetëm për 5 muaj. Ai u largua nga detyra në muajin tetor të vitit të kaluar dhe u denoncua për shkeljet me procedurat. Vetë Kastrati, pas arrestimit, i mohoi këto akuza, duke deklaruar se “nuk kishte kryer asnjë shkelje dhe pretendimet për shpërdorim detyre ngriheshin për të shkaktuar tymnajë dhe mbuluar dështimet e qeverisë së re”. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës rezultoi se dy zyrtarët kanë kryer legalizimin e disa objekteve gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2013, në kundërshtim me ligjin, ndërsa legalizimi është bërë për disa objekte të futura jashtë radhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat