Makinat, katërfishohen gjobat

Shqipëria

Makinat, katërfishohen gjobat

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 09:22

Diskutimi nen për nen i ndryshimeve në Kodin Rrugor ka sjellë debate në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve. Deputetët socialistë, edhe pse janë shprehur parimisht dakord për draftin e sjellë nga Ministria e Transporteve, kanë shprehur rezerva për rritjen e gjobave, në mënyrë të veçantë ato që prekin direkt qytetarët. Sipas socialistit Bashkim Fino nuk mund të 4-fishohen gjobat për një drejtues automjeti që kalon me semafor të kuq, aq më tepër të hiqet patenta kur shumë mirë mund të zbatohet praktika e pikëve si në çdo vend tjetër evropian. Sugjerim i mbështetur dhe nga ligjvënësit e tjerë. Socialisti Pandeli Majko kërkoi parashikime të qarta ligjore që mos lejohet abuziviteti i policëve rrugorë, që sipas tij shpesh janë disa “kafkafolës”. Ndryshime në draft u bënë dhe nga relatorët, Vexhi Muçmataj dhe Ulsi Manja. Ndryshimet Rritja e gjobave për drejtuesit e automjeteve, nuk është mirëpritur nga ligjvënësit e mazhoracnës. I pari që u shpreh kundër kësaj fryme ishte deputeti Bashkim Fino i cili edhe pse ishte parimisht dakord me draftin e qeverisë, deklaroi se rritja e gjobave nuk mund të konsiderohet si zgjidhje për ta bërë një ligj të zbatueshëm.

“Në të gjitha këto nene po shikoj një rritje të gjobave, për shembull në nenin 11 ishte gjoba nga 5 mijë -10 mijë, shkon nga 10 mijë - 20 mijë. Cili është shkaku që rritet, ka ndonjë statistikë që çon në rritje?”, - kërkoi sqarime Fino. Në përgjigje të tij juristi i Ministrisë së Transporteve, Eni Culli tha se “Neni 11 ka të bëjë me gjendjen teknike të mjeteve rrugore, sistemin e drejtimit dhe frenimit. Nga regjistrimet në DPSHTRR, kemi parë raste kur i bëhen ndryshime makinës duke e bërë të rrezikshme për lëvizjen në rrugë, bëhen ndryshime pa marrë leje. Kjo ka qenë arsyeja kryesore”. Por për ligjvënësin socialist ky shpjegim ishte një arsye më shumë për të qenë kundër. “Nëse ka qenë kjo arsyeja kryesore jam kundër këtij neni sepse ju e dini shumë mirë se të gjitha automjetet kontrollohen çdo vit. Nëse ky institucion nuk e kryen punën si duhet pse duhet të rrisim gjobën?”, - tha ai. Në të njëjtën logjikë kontestoi dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili sipas të cilit efiçenca nuk mund të rritet duke rritur gjobat. “Nuk rrisim efiçencën e qeverisë duke 5-fishuar apo 10-fishuar gjobat”, - deklaroi ai. Një tjetër kontestim i ardhur nga Fino ishte për moshën e personave që drejtojnë mjete me motor. “Ose do vëmë sanksion që nuk ka të drejtë asnjeri të drejtojë mjete me motor pas moshës 65 vjeç ose jo. Por nuk mund të vëmë që nuk do të drejtojnë ata mbi 65 vjeç dhe pastaj bëjmë një përjashtim deri në 70 vjeç nëse merr një raport. Ky nen është shumë evaziv”, - theksoi ai.

Argumentimi i specialistëve se ndryshimet janë bërë në bazë dhe të kërkesave të grupeve të interesit, nuk kënaqi deputetët që nuk kursyen as ironinë. “Një rritje s’ka gjë”, - ironizoi kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Ai shtoi se dhe gjobat janë bërë si shqiponjat. “Përveç atij policit të trafikut, keni vënë edhe ata të “Shqiponjës” ju, edhe ca të tjerë. Dalin rrugëve ata, vënë vetëm nga një gjobë pam e pam e pam… I keni bërë shqiponjë gjobat fare”, - ironizoi Xhafaj. Për Pandeli Majkon përbën problem gjobëvënia abuzive e policëve. “Ju e dini shumë mirë dhe nuk ka nevojë pse ta zgjasni këtë histori, shpesh ata që quhen policë të trafikut në rrugët kombëtare kthehen në gjobëvënës klasik. Siç e keni vënë ju këtu, të hiqet leja nga 9 muaj deri në një vit, atëherë duhet të matesh mirë kur flet apo iu kthen përgjigje këtyre njerëzve që shpesh janë policë të rregullt por ka edhe kafkafolës”, - deklaroi Pandeli Majko. Vasilika Hysi shkoi me tej, duke i cilësuar ndryshimet si diskriminim për qytetarët prandaj kërkoi në një seancë dëgjimore ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe atë të Transporteve, Edmond Haxhinasto. Diskutimet dhe sugjerimet e relatorëve kanë bërë që disa nga nenet të lihen për rishqyrtim duke shtyrë kështu dhe votimin në tërësi të draftit.

Diskutimet dhe batutat në Komisionin e Ligjeve

Vasilika Hysi: Neni 13 është 6 faqe format A4, jam kundër mënyrës së hartimit të këtij neni. Si është shkruar vetëm nen nuk është.

Fatmir Xhafaj: Këshilltarët ta marrin këtë dhe si vërejtje se për ministrinë kuptohet qe nuk është vërejtje, është karton, i verdhë meqë vijnë për herë të parë. Ky është skandal në teknikën legjislative, 6 faqe nen. Dhe rregullorja ndahet në pika jo më neni.

Eni Culli: Dakord me vërejtjen e zonjës Hysi por po të shikohet Kodi Rrugor ka disa nene të stërgjata, vërtet ndoshta të lodhshme dhe të pakuptueshme pasi dihet që është bërë në ‘98.

Fatmir Xhafaj: Ky është bërë në ‘98 po amendimet po bëhen në 2014, nuk është argument ky. 16 vjet pas jemi pjekur të gjithë, edhe ju ekspertët duhet të ishit pjekur tamam.

Vexhi Muçmataj: Pas nenit 23 të shtojmë, me propozim të Ministrisë së Brendshme, edhe njohjen e patentës në Kanada e SHBA. Po ashtu propozojmë që drejtuesi i mjetit që vazhdon lëvizjen, ndonëse polici apo semafori e ndalon këtë lëvizje, ndëshkohet me gjobë nga 40 mijë - 50 mijë lekë dhe të shtohet pika 4, “Për cilido që e përsërit, brenda vitit, shkeljen në paragrafin tre, përveç masës me gjobë, merret masa e pezullimit të lejes së drejtimit nga 9 muaj deri në 1 vit”.

Silva Caka: Në gjykimin tim vazhdimi i lëvizjes bëhet gjithmonë, ose në 90 për qind të rasteve, me përgjegjësi të plotë ose me dashje. Gjoba nga 40 mijë - 50 mijë është në rregull. Po rasti i përsëritjes të ndëshkohet nga 1 vit deri në 18 muaj.

Bashkim Fino: Unë në tërësinë e diskutimit jam nisur nga ideja që masat janë shumë të ashpra dhe shumë drastike. Më vjen keq që jam edhe pak kundërpedal ndaj parafolëses sepse të ndëshkosh tjetrin se bën një gabim është normale.

Ilva Caka pa mikrofon: Nuk është gabim, e bën me dashje.

Bashkim Fino: Të lutem, të lutem, e thashë jam pak kundërpedal. Në gjithë këtë draft vetëm kemi shtuar gjobat, ndërkohë që nuk kishte asnjë statistikë që të më bindë mua që vërtet për shkak të shtimit të gjobës, ne mund të krijojmë premisa për uljen e aksidenteve etj.. Kur një automjet shkel semaforin më parë gjobitej nga 5 mijë - 20 mijë lekë dhe nëse përsëritej hiqej patenta nga 6 deri në 12 muaj. Propozimi i ri thotë 40 - 50 mijë dhe nga ana tjetër heq patentën 9 muaj deri në 12 muaj. Unë kam një propozim racional, se ne themi BE-ja, atëherë të përafrohemi me BE-në dhe të ndëshkohen me heqjen e pikëve nga patenta, s’mund të më marrësh patentën 9 muaj se kalova një semafor me të kuq ndërkohë që kam familjen për të mbajtur.

Xhemal Qefalia: Unë jam absolutisht dakord me propozim që bëri zoti Fino. Evidentoj se i gjithë ligji është në përputhje me konventat evropiane, masa e gjobave po kështu, ndërsa rrogat janë si në Shqipëri. Ky është stonim i madh. Pse në Itali qenka 160 euro, në Shqipëri shkon në 400 - 500 mijë lekë. Më këtë ligj që po bëjmë dhe me rritjen drastike të gjobave nuk bëjmë gjë tjetër vetëm sa rëndojmë xhepat e qytetarëve.

Ulsi Manja: Ju lutem, ju lutem. Ky projektligj ka qëllimin për të mbrojtur rrugët që kemi, jo për të rritur gjobat ndaj qytetarëve.

Bashkim Fino: Nuk është faj im, as i Xhemalit, as i Vasilikës nëse bëjmë vërejtje për gjobat e qytetarëve. Ne këtu flasim lirshëm, unë flas lirshëm, kolegu im flet lirshëm, këtë bën kjo mazhorancë që bën oponencë edhe ndaj qeverisë së saj.

Ndërhyn Fatmir Xhafaj: Oponencë jo vetëm ndaj qeverisë por edhe ndaj njëri-tjetrit.

Bashkim Fino: Po kjo tregon profesionalizëm. Ne mbështesim që Kodi Rrugor të vërë gjoba sa më të larta për ata që prishin rrugët nacionale. Por në qoftë se Kodi vjen me disa nene që rrisin disa masa ndaj qytetarit, ne nuk do të rrimë të bëjmë qorrin e shurdhin këtu, por do kërkojmë sqarime.

Pandeli Majko: Unë mendoj që ka qenë një diskutim i vjetër kjo puna e gjobave dhe nuk mendoj se gjobat e larta do na vendosin rregull mbi sistemin rrugor. Gjobat e larta për mua kanë prodhuar korrupsion dhe jo rregull. Shpesh ata që quhen policë të trafikut në rrugët kombëtare, kthehen në gjobëvënës klasikë dhe duke i dhënë të drejtë me ligj që edhe polici të vlerësojë, dhe logjikën në qoftë se e përsërit ti hiqet leja nga 9 muaj në një vit, atëherë duhet të matesh mirë kur flet apo ti kthesh përgjigje këtyre njerëzve, që shpesh janë policë të rregullt, po ka edhe kafkafolës, e kanë mendjen vetëm te lekët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat