Grupi Parlamentar i PS-së pro shkarkimit të Çefës dhe Lelçajt

Shqipëria

Grupi Parlamentar i PS-së pro shkarkimit të Çefës dhe Lelçajt

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 08:37

Në seancën plenare të ditës së enjte, Grupi Parlamentar i PSsë pritet të zbatojë propozimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Elvis Çefa dhe të anëtarit Lulzim Lelçaj. Ky është vendimi i ndërmarrë në mënyrë unanime nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Raporti i përpiluar ditën e shtunë nga Komisioni Hetimor i propozon Kuvendit shkarkimin e Çefës dhe Lelçajt për shkelje kushtetuese dhe ligjore gjatë veprimtarisë së tyre në këtë institucion. Në mbledhjen e djeshme të grupit të PS-së, e drejtuar nga kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, socialistët për rreth një orë kanë dëgjuar nga kreu i Komisionit Hetimor, Armando Subashi për shkeljet e zbuluara në hetimin e KLD-së dhe më pas kanë rënë dakort për votimin pro shkarkimit të tyre.

Gjithashtu një çështje tjetër diskutimi e ngritur nga deputetët e PS-së, ka qenë ajo për miratimin e kandidaturës së Arjan Salatit si anëtar të Bordit Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Burime nga kjo mbledhje pohuan për gazetën “Shekulli” se deputetët socialistë dëgjuan një shpjegim të detajuar nga kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar, Armando Subashi. Zoti Subashi gjatë shpjegimit të pikave se ku janë konstatuar shkelje nga ana e KLD-së dhe anëtarëve të saj ka deklaruar se “tashmë është e provuar se KLD-ja ndodhet jashtë çdo binari kushtetues dhe ligjor”.

Sipas Subashit, veprimtaria e KLDsë për promovimin e anëtareve të saj është në kundërshtim të parimit kushtetues.“Në punën tonë i jemi përmbajtur atyre pikave të kërkuara nga grupi i deputetëve që kërkoi ngritjen e komisionit hetimor. Veprimtaria e KLD-së me promovimin e anëtarëve të saj është në kundërshtim të parimit kushtetues” tha Subashi. Më tej ai theksoi se një tjetër shkelje e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është edhe që merret me emërimin e magjistratëve të rinj nëpër gjykata. Sipas Subashit, Magjistratët që kanë përfunduar shkollën në 2014 vijojnë të jenë ende pa u emëruar. Më tej Subashi mësohet të ketë thënë se “vendimet e marra nga KLD-ja janë tërësisht politike dhe nepotike”. Sakaq kreu i Komisionit Hetimor, Subashi është ndalur edhe në rolin e Presidentit të Republikës Bujar Nishani njëherazi edhe kreu KLD-së duke e bërë përgjegjës për shkeljet e ndodhura në KLD.

“Në mbi 90 pwr qind të vendimmarrjes së KLD-së mbledhjet janë drejtuar nga zoti Nishani” ka pohuar Subashi i cili kështu indirekt ka bërë përgjegjës edhe kreun e shtetit për situatën në KLD. Po ashtu në mbledhjen e ditës së djeshme socialistët kanë diskutuar dhe për miratimin e kandidaturës së Arjan Salatit si anëtar të Bordit Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Votimi për Salatin pritej 2 javë më parë, por burime nga Partia Socialiste thanë se Zoti Salati nuk u përfshi në rendin e ditës në atë seancën e para dy javëve, kjo mospërfshirje është bërë nga vetë Kuvendi, me qëllim që kandidatura të miratohet së bashku me gjithë anëtarët e bordit dhe drejtuesit e rinj të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat