Rama i propozon Vuçiçit vizitë në Tiranë

Shqipëria

Rama i propozon Vuçiçit vizitë në Tiranë

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 21:17

Duke shprehur keqardhje për shtyrjen e vizitës së Edi Ramës në Beograd, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se, Serbia nuk lejon askënd që të poshtërojë kombin dhe shtetin e tyre.

Vuçiç duke u shprehur i kënaqur me bisedën që ka pasur me Ramën në telefon, i ka kërkuar homologut të tij që vizitën e programuar më 22 tetor ta shtyjë më 10 nëntor.

Gjithashtu, gazeta serbe “Blic” raporton se Rama i ka propozuar Vuçiçit që edhe ai të zhvillojë një vizitë në Tiranë së shpejti.

Si në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare të kryeministrisë shqiptare ashtu edhe në atë serbe nuk thuhet një gjë e tillë.

Në komunikatën e publikuar nga qeveria serbe theksohet se, "në bisedimin telefonik, Rama dhe Vuçiç janë shprehur se është koha për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes Serbisë dhe Shqipërisë".

Ndërsa në komunikatën e publikuar nga qeveria shqiptare thuhet se, “mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t'u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal”.

Një rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e dy liderëve të Shqipërisë dhe Serbisë ka luajtur Gjermania. Kancelarja, Angela Merkel i telefonoi Vuçiçit një ditë pas incidentit në Beograd.

Vuçiç dhe Rama ishin pjesë e Forumit të Ballkanit Perëndimor që u mbajt më 29 gusht në Berlin nën kujdesin e Merkelit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat