Rama: Gabon kush kërkon anulimin e vizitës sime në Beograd. Do të humbte Shqipëria

Shqipëria

Rama: Gabon kush kërkon anulimin e vizitës sime në Beograd. Do të humbte Shqipëria

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 19:18

Kryeministri Edi Rama thotë se anulimi i vizitës së tij në Beograd nuk është përgjigjja e duhur. Sipas Kryeministrit, të gjithë ata që apelojnë kundër kësaj vizite gabojnë.

Kreu i qeverisë shqiptare është shprehur kështu gjatë një takimi të zhvilluar në “Pallatin e Kongreseve” për partneritetin Shqipëri-Itali, ku merr pjesë edhe ish-kryeministri italian, Romano Prodi.

“Ata që u lutën për anulimin e vizitës gabojnë. Anulimi i vizitës nuk do ishte përgjigja e duhur, pasi Shqipëria do të ishte humbësja më e madhe si investitorja dhe nga ana tjetër si kontributorja e Europës së Frikës. Por unë mbroj Europën e Shpresës. Çfarë pasojash do të kishte një Ballkan pa Evropën e Shpresës? Një Ballkan që do të ndihej i tepërt dhe pa të ardhmen mes një Evrope të mbyllur në vete, ndërsa rreket të bëhet pjesë e BE-së. Thonë se mosanulimin e vizitës e ka imponuar Brukseli, ka imponuar shumë, por jo këtë. Ashtu siç nuk na e ka imponuar Brukseli, që mezi na e dha statusin kandidat”, u shpreh Kryeministri Rama.

Përsa i përket përfshirjes së vëllait të tij, Olsi Ramës në incidentin e ndeshjes Serbi-Shqipëri, Kryeministri tha se kjo është një sajesë. Sipas Ramës, policia serbe e sajoi vëllain tij si "hero të rremë të Ballkanit".

Duke u ndalur tek rëndësia e procesit të integrimit, Kryeministri Rama tha se kjo strategji drejt BE-së nuk duhet të ndryshojë për shkak të një ndeshjeje futbolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat