PD: Delegacioni shqiptar braktisi samitin në Milano për të shkuar në kazinotë e Sanremos

Shqipëria

PD: Delegacioni shqiptar braktisi samitin në Milano për të shkuar në kazinotë e Sanremos

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 18:18

Duke cituar një shkrim të gazetës italiane Corriere della Sera, Partia Demokratike akuzoi ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli se bashkë me delegazionin shqiptar që drejtonte, ka braktisur samitin euro-aziatik të Milanos për të luajtur në kazinotë e Sanremos. Kodheli mohoi lajmin duke saktësuar se asnjë delegacion shqiptar s’ka marrë pjesë në këtë samit, ndërsa njoftoi se dikasteri i saj do të ngrejë padi ndaj gazetës italiane.

Lajmi erdhi nga Corriere della Sera. Gazeta prestigjoze italiane me një histori mbi 100 vjeçare, mbyllte artikullin e saj nga samiti euro-aziatik i Milanos, me dy fjali kushtuar delegacionit shqiptar. Akuza: sapo mundën ia mbathën në drejtim të Liguria. Jo për detin, saktëson gazeta, por për kazinonë e Sanremos.
Në Tiranë, ishin demokratët që, duke folur për një skandal të tupshëm, drejtuan gishtin nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli si drejtuese e delegacionit, ndonëse Corriere della Sera nuk pohonte një gjë të tillë.
Ndërsa Kodheli buzëqesh dhe mohon akuzat, duke saktësuar se në këtë samit nuk ka pasur asnjë delegacion nga Shqipëria.
Ndonëse ministrja e Mbrojtjes u akuzua nga PD dhe jo nga Corriere della Sera për braktisje të samitit në favor të dëfrimit në kazino, Kodheli njoftoi se do të padisë për shpifje gazetën dhe jo Partinë Demokratike.
Në samitin e Milanos morën pjesë 53 krerë shtetesh nga vendet e Bashkimit Europian dhe të Azisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat