Fatos Lubonja për gazetën greke: Nacionalizmi është streha e fundit e horrave

Shqipëria

Fatos Lubonja për gazetën greke: Nacionalizmi është streha e fundit e horrave

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 18:07

Analisti Fatos Lubonja është shprehur se i ka përjetuar me “habi, befasi dhe zhgënjim” zhvillimet pas incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Lubonja i ka dhënë një intervistë të gjatë gazetarit Nikos Anaganosti, për gazetën greke Elefterotypia. Pasi prezantohet si një njeri “që bën pjesë ndër ata që punojnë për të ndërtuar në Shqipëri dhe në Ballkan një realitet ku personaliteti dinjiteti dhe mirëqënia e njeriut, respekti për tjetrin, të jenë më të rëndësishëm sesa identiteti apo krenaria e tij nacionale”, Lubonja thekson se kjo ngjarje e ka bërë të ndihet si një humbës dhe e ka futur ne një shqetësim të madh për fatet tona të së ardhmes. “Jo se nuk i njoh ndjenjat e urrejtjes nacionale apo të mburrjes nacionale të ballkanasve, por e mendoja të tejkaluar mundësinë e një ngjarjeje si ajo që ndodhi” citohet ai. Për Lubonjën, gjithë sa ndodhi, nuk është rezultat i një çasti, i një rastësie, që do të mund të evitohej nëse shorti nuk i vinte përballë të dy vendet fqinje. “Është rezultat i një kohe të gjatë që jemi në krizë morale, ekonomike politike si në Serbi edhe në Shqipëri, edhe i një manipulimi të gjatë me idenë se nxitja e nacionalizmit është një nga mënyrat për t’u ikur këtyre problemeve dhe kësaj krize”, deklaron Lubonja, duke theksuar se, në këtë rast, “duhet të rikujtojmë edhe njëherë thënien ‘Nacionalizmi është streha e fundit e horrave”. Për analistin Lubonja, “Flaka nacionaliste që u ndez në Tiranë rrezikon më së shumti të djegë vetë shqiptarët ngase mund të mbysë zërat racionalë që kërkojnë shtetin më të mirë, jo shtetin më të madh, paqen, bashkëjetesën dhe harmoninë në Ballkan dhe jo urrejtjen dhe konfliktet. Ajo vë në në rrezik deri lirinë e fjalës. E reflekton këtë edhe qëndrimi i masmediave shqiptare që u mbytën, në mbulimin e kësaj ngjarjeje nga një valë nacionalizmi duke luajtur një rol shumë negativ, ku gazetarët më së shumti rendnin për të treguar se cili është më patriot, edhe në kurriz të objektivitetit dhe racionalitetit”. Lubonja ngarkon me përgjegjësi të madhe elitat politike në Shqipëri dhe Serbi. Sipas tij, “Një nga përgjegjësitë kryesore që kanë qëndron në gjuhën e dyfishtë që përdorin: një për brenda përbrenda vendit ku dominojnë thekse nacionaliste dhe një për ndërkombëtarët, për Evropën”. “Nuk mjaftojnë takimet e liderave për të ndryshuar gjendjen por duhet takimi i njerëzve të çliruar nga ndjenjat e frustrimit dhe urrejtjes për njëri tjetrin. Dhe për këtë duhet punuar përditë brenda vendit. Sigurisht mendoj se Rama duhet të shkojë patjetër në Serbi dhe shpresoj me një reflektim të tillë”, e mbyll analisti Fatos Lubonja intervistën dhënë gazetës greke Elefterotypia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat