Prodi: Shqipëria në BE sa më parë

Shqipëria

Prodi: Shqipëria në BE sa më parë

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 17:48

Ish-kryeministri italian, Romano Prodi, bën thirrje që Shqipëria dhe Serbia duhet ulin frymën agresive ndaj njëra-tjetrës dhe të bashkëpunojnë mes tyre me qëllim stabilitetin e rajonit dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë nga Tirana për televizionin shqiptar “A1 Report”, Prodi ka folur për incidentin në Beograd gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, duke thënë se kjo ka shkaktuar shqetësim në Evropë.

Ish – presidenti i KE-së apeloi për bashkëpunim në rajon dhe kjo sipas tij nuk duhet të jetë e vështirë për vendet që aspirojnë BE-në. Për të treguar që diçka e tillë është e mundur, Prodi përmendi rastin e Francës dhe Gjermanisë, që pas shumë vitesh konflikte vendosën të bëjnë paqe në sy të botës.

Gjithashtu ai foli edhe për bashkëpunimin Shqipëri – Itali, duke thënë se ai nuk është në nivelet e duhura, sidomos në fushën e ekonomisë dhe investimeve.

Sa i përket të ardhmes së BE-së dhe Shqipërisë në të, Prodi shprehet qartë që në lidhje me Shqipërinë çdo gjë duhet të bëhet pa hezitim.

“Evropa nuk është më e hapur si 10 vite më parë, pasi kemi kaluar nga Evropa e shpresës në Evropën e frikës. Duhet të kalohet në një politikë më të qëndrueshme... Për të rifituar të njëjtin besim e entuziazëm nevojitet puna e angazhimi nga ana juaj. Italia duhet të udhëheqë që ky proces të shndërrohet urgjent dhe të kryhet sa më shpejt.

Nuk mund që një proces të zgjasë 20 vjet. Për shembull në rastin e Turqisë është humbur sensi i qëllimit. Ndaj në rastin e Shqipërisë duhet të përshpejtojmë çdo gjë. Ne kemi mbështetur me entuziazëm Gjermaninë dhe zgjerimin e vendeve të veriut të Evropës, është detyrë e këtyre vendeve të na e kthejnë me të njëjtin entuziazëm edhe anëtarësimin e Shqipërisë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat