Basha: Pa bashkëpunim nuk kthehemi në Kuvend

Shqipëria

Basha: Pa bashkëpunim nuk kthehemi në Kuvend

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 17:36

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pritur sot në një takim Kryetarin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit italian, Pier Ferdinando Kasini.

Basha e ka shfrytëzuar këtë takim për të shprehur shqetësimet e opozitës me qeverisjen e vendit, por gjithashtu edhe për të shprehur mirënjohjen e tij për shtetin italian dhe ndihmesën e tij për Shqipërinë në shumë fusha.

Mësohet se kreu i partisë më të madhe opozitare në vend i ka shprehur Kasinit shqetësimet e opozitës për shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës, refuzimin e qeverisë që opozita të ushtrojë kontroll përmes komisioneve parlamentare hetimore, injorimi dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatave të vendit.

Gjithashtu Basha ka thënë se opozitës i mohohet fjala e lirë përmes ushtrimit të dhunës verbale dhe fizike nga elemente kriminalë të maxhorancës në Parlament, që sipas tij janë orkestruar dhe drejtuar nga Kryeministri Rama.

Mungesën në Kuvend prej shumë kohësh, Basha ia ka faturuar sërish qeverisë, duke thënë se ajo ka fshirë çdo hapësirë demokratike për opozitën.

“Me gjithë thirrjet e përditshme të opozitës, maxhoranca jo vetëm që nuk ka reflektuar për kriminalizimin e Kuvendit dhe ngjarjet e papranueshme të dhunës ndaj deputeteve të opozitës të faktuara dhe me pamje filmike, por kanë vijuar dhe intensifikuar fushatën e kapjes së institucioneve të pavarura, Shkollën e Magjistraturës, gjykatat e vendit dhe së fundmi Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Përmes pseudo komisioneve hetimore maxhoranca në shkelje të pavarësisë së pushteteve dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, propozon ndërprerjen e mandateve të dy anëtarëve të këtij institucioni”, u shpreh Basha, duke shtuar se në këtë situatë të rëndë PD-ja e ka të vështirë të bashkëpunojë me shumicën.

Në këtë takim, Basha i shprehu Presidentit Kasini mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Italia, Senati italian dhe ai personalisht i kanë dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, e në veçanti në projektin madhor të integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO, ku Italia u shndërrua në avokate të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat