Patozi: PD-së i mungon shumë Sokol Olldashi

Shqipëria

Patozi: PD-së i mungon shumë Sokol Olldashi

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 12:44

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka kritikuar Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, duke thënë se përbërja e Këshillit Kombëtar të PD-së ka emra të panjohur.

Sipas Patozit, Kuvendi u mor lehtë, gati si një gjë për t’u hequr, ndërkohë që, ai duhet të ishte një eveniment që duhet të linte gjurmë të forta, duhet të shtronte disa piketa dhe të ngrinte disa kolona ku do të mbështetej aksioni politik i opozitës në të ardhmen.

“Fjala vjen, pas Kuvendit, njerëzit janë edhe më të paqartë, por edhe vetë PD nuk e di, se çfarë do të bëjë ajo me zgjedhjet lokale, me grupin e saj parlamentar, cili është projekti që na çon drejt ringritjes së shpejtë dhe pastaj drejt fitores dhe cili është modeli, por edhe ekipi i ri, që do ta drejtojë forcën tonë politike. Në atë listë kishte shumë emra që nuk i kam dëgjuar kurrë, por, tek e fundit, kjo nuk i bën ata më pak të aftë dhe as ua zbeh perspektivën. Zgjedhja dhe promovimi i tyre ka vlerë dhe kuptim, vetëm në rast se Partia Demokratike rikthehet sa më shpejt në pushtet, ndryshe është njësoj si të jenë anëtarë në ndonjë shoqatë kulturore apo sportive. Fjala vjen “Danoçat e Tironës”, shprehet Patozi.

Në një intervistë të dhënë për revistën “Java”, Patozi theksoi se Partisë Demokratike i mungon tmerrësisht shumë figura e Sokol Olldashit.

“Tmerrësisht shumë. Madje, kam bindjen se Olldashi nuk i mungon vetëm Partisë Demokratike, por politikës dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Padyshim, që boshllëkun më të madh Olldashi e ka lënë në Partinë Demokratike. Në radhë të parë, se i përkiste asaj në të gjithë dimensionet e qenies së vet. Por, edhe për shkak se në kushtet e një tulatjeje të personaliteteve politike të saj, për shkaqe objektive dhe subjektive, ikja e parakohshme e një zëri të fuqishëm, bie shumë më tepër në sy”, thekson Patozi.

Ai ka kritikuar gjithashtu bojkotin e Partisë Demokratike, duke theksuar se që në fillim ka qenë kundër kësaj nisme.

“Në fakt unë jam që bojkoti nuk duhet të kishte nisur fare, jo që nuk duhet të vazhdojë. Për të mos thënë se janë shumica që mendojnë kështu”, tha Patozi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat