Hapen universitetet, 2500 banka bosh në ditën e parë

Shqipëria

Hapen universitetet, 2500 banka bosh në ditën e parë

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 10:59

Universitetet hapin sot dyert për vitin e ri akademik 2014-15. Për herë të parë në auditorët e fakulteteve do të ulen 19 726 studentë, bazuar në kuotat e miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, por jo të gjithë do ta nisin nga sot. Kjo për arsye se një numër i konsiderueshëm kuotash kanë mbetur bosh dhe pritet që të shtohen me plotësimin e formularit A3. Numri i tyre pas regjistrimeve të fituesve të fazës përfundimtare është 2560. Ndërkohë, duhet thënë se ky vit rezultoi fatal për mijëra studentët e 18 universiteteve private, të cilët nuk do të vijojnë aktivitetin e tyre, sepse nuk plotësonin kriteret e ligjshmërisë. Në total tashmë janë 31 institucione të Arsimit të Lartë, nga të cilët 11 janë universitete publike. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule transmeton nëpërmjet “Shekullit” mesazhin: “Një urim nga ana ime për stafet dhe studentët e UT-së dhe gjithë universiteteve publike dhe jopublike”. Pra, ky vit universitar, i hartuar për të nisur me urdhra e udhëzime të reja, me pedagogë që nuk do të lejohen të punojnë në dy fakultete, me studentë të lënë në rrugë, me tarifa më të larta dhe me numër më të vogël studentësh fillon pikërisht sot.

Kapaciteti i fakulteteve

Duket se edhe këtë vit, godinat e fakulteteve të universitetit të Tiranës, do të qëndrojnë të hapura për t’u shërbyer studentëve deri në orët e vona të mbrëmjes. Drejtues të fakulteteve edhe më herët janë shprehur se kapacitetet ekzistuese do të shfrytëzohen në mënyrë maksimale, por zgjidhje përfundimtare në këtë aspekt, do të jetë ndërtimi i godinave të kampusit. Sa i përket infrastrukturës, godinat nuk kanë probleme. Madje dhe ajo e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, e cila ishte shndërruar në “gërmadhë” për shkak të punimeve që po kryheshin nga sot është gati. Edhe këtë vit ka nisur procesi i rekrutimit të pedagogëve të rinj. Ndërkohë që miratimi i ligjit të ri për Arsimin e Lartë, do të reduktojë fenomenin që pedagogët e publikut të punojnë edhe te privatët, dukuri që dëmton cilësinë në mësimdhënie. Universiteti i Tiranës pret nga sot mbi 5 mijë studentë të rinj. Kuotat bosh Autoritetet e arsimit kanë hapur fazën për plotësimin e Formularit A3, i cili iu mundëson kandidatëve të hyjnë në garë për 2560 kuota të mbetura bosh në të gjitha universitetet publike. Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve bëjnë me dije, se do të ketë një kategori kandidatësh që do të plotësojnë Formularin A3 në shkolla. Kjo kategori duhet që më parë të bëjnë pagesën e një tarife prej 2 mijë lekësh, pasi në të kundërt nuk mund të bëhen pjesë e këtij procesi. Në grupin e kandidatëve që do plotësojnë Formularin A3, përfshihen kandidatët që: kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar Formularin A2; kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2014; kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe mbi bazën e ekuivalentimit të rezultateve të shkollës së mesme, si dhe kanë plotësuar Formularin A1Z në sesionin e dytë në muajin shtator 2014. Të gjithë këta kandidatë që do futen në garë duke plotësuar online 10 preferenca në Formularin A3, në portalin e Maturës Shtetërore më parë duhet të paguajnë një tarifë prej 2 mijë lekësh si dhe të drejtohen në shkollën përkatëse ku kanë kryer gjimnazin për të hedhur notën mesatare në sistem.

Strehimi i studentëve

Gjashtë mijë studentë do të akomodojë Qyteti Studenti në Tiranë për vitin akademik 2014-2015. Regjistrimet për të përfituar një dhomë në këtë qytet kanë nisur në 1 tetor, ndërkohë që kriteret për t’u strehuar në godina kanë qendë edhe në bazë të preferencave të vetë studentëve. Në total janë gjithsej 26 konvikte dhe numri i shtretërve është rreth 6 mijë, nga të cilët rreth 2 mijë do t’i përkasin studentëve të vitit të parë. Ndërkohë, tarifa këtë vit nuk ka ndryshuar, duke e krahasuar me vitin e kaluar dhe një muaj do të kushtojë 4500 lekë. Kërkesat e larta nga studentët që kërkojnë strehim në godinat e Qytetit Studenti, edhe këtë vit do të bëjnë që në dhoma të ketë deri në katër persona. Strehimi në këtë qytetet është një zgjidhje për të rinjtë që nuk kanë kushte të mira ekonomike, pasi ka dhe nga ata që zgjedhin të jetojnë në shtëpi me qira, të cilat kanë një kosto më të lartë mujore por edhe kushte tepër të favorshme. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për 4 konviktet prapa fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Të dhënat

20 tetor – dita e parë e vitit të ri akademik universitar 2014-15

19 726 – Kuota të miratuara nga MAS për studentët fitues

2560 - vendet vakante që do të mbushen nga plotësimi i formulari A3

31 – numri total i institucioneve të arsimit të lartë

11 – numri i universiteteve publike

5000 - studentët që do ndjekin vitin e parë në Universitetin e Tiranës

13 mijë do të ndjekin programin e ciklit të dytë

Reforma, tarifat rriten dhe në programin Master

Në programet e nivelit Master do të shkojnë vetëm studentët që kanë mesatare 6, teksa po kaq duhet të kenë edhe mesataren e shkollës së mesme. Ndryshe nga viti i kaluar, Ministria e Arsimit ka përcaktuar disa kritere të reja. Në udhëzimin e kuotave dhe tarifave për studimet e nivelit të dytë. Për të ndjekur këto programe, duhet të aplikojnë kandidatët që përmbushin kushtet e mesatares së vendosur. Më pas do të jenë edhe vetë fakultetet, që mbi bazën e kritereve të tjera seleksionuese do të përcaktojnë listën e kandidatëve që kanë të drejtë të vijojnë studimet e larta në Master. Sipas vendimit të miratuar, për programet e ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” janë miratuar 6393 kuota studimi, të ndara sipas kategorive përkatëse, ndërsa në “Master Shkencor” dhe “Master i Arteve të Bukura” janë miratuar 6547 kuota.

Tarifat

Me ndryshime janë shoqëruar dhe tarifat e studimeve që duhet të paguajnë të gjithë fituesit. Këto tarifa kanë pësuar rritje, krahasuar me tarifat e një viti më parë. Në udhëzim specifikohet se pagesa e tarifës për të gjitha programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, bëhet më këste të përcaktuara nga fakulteti përkatës. Kësti i parë parashikon pagesën në masën 30 për qind të tarifës totale dhe paguhet menjëherë me regjistrimin e studentit. Pas përfundimit të kohëzgjatjes normale të programit të studimit, studentët që nuk e kanë përfunduar ende programin përkatës dhe nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në programin e studimit, deri në përfundim të vitit akademik, konsiderohen ngelës. Për lëndët përsëritëse, studentët paguajnë çdo vit akademik dyfishin e tarifës së parashikuar. Këto tarifa do të aplikohen duke nisur nga ky vit akademik e në vijim. Rregulli do të ndiqet edhe për studentët e regjistruar më herët, të cilët kanë përfunduar përkatëse dhe do të jenë përsëritës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat