Çështja e Xhelal Mziut përfundon në Gjykatën Kushtetuese

Shqipëria

Çështja e Xhelal Mziut përfundon në Gjykatën Kushtetuese

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 09:15

Gjykimi i çështjes në ngarkim të kryebashkiakut të Kamzës dhe të dy funksionarëve të Bashkisë të cilët janë të pandehur në të njëjtën dosje, po shkon drejt një pezullimi të pacaktuar. Me 13 tetor, në Gjykatën e Tiranës, pezullimi i gjykimit të kësaj çështjeje iu ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese, së cilës i duhet të vendos shfuqizimin si jo kushtetues të shprehjes “që shqyrton ankimin”, frazë që me sa duket do të fusë në kolaps çështjen në ngarkim të Xhelal Mziut. Gjithçka nis me një kërkesë të avokatëve mbrojtës të të pandehurve, disa seanca më parë, ku kërkuan që të paraqitej në seancë gjyqësore një ekspertë kontabël. Aso kohe, gjyqtari i çështjes e refuzoi kërkesën e mbrojtjes, atëherë avokatët shkuan më tej duke kërkuar përjashtimin e gjyqtarit, Besnik Hoxha. Argumentimi i kësaj kërkesë bazohej në njëanshmërinë e gjykimit, e për pasojë gjyqtari urdhëroi pezullimin e çështjes duke u bazuar në procedurë, që i lejon shqyrtimin një trupe tjetër gjyqësore. Me 4 tetor, u përzgjodh si gjyqtar, emri i fort kontestuar i Ministrisë së Drejtësisë, Enkeledi Hajro, e cila u emërua gjyqtare nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në seancën e 13 tetorit, e cila ka zgjatur 8 minuta, gjykata ka vendosur pezullimin e çështjes derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e çështjeve të ngritura në vendim. Kështu atë ditë gjykata ka vendosur që sekretaria gjyqësore të dërgojë dosjen në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i është komunikuar edhe gjyqtarit për të cilin është kërkuar përjashtimi, ndërsa avokatët mbrojtës të të pandehurve, tashmë presin të vendos Gjykata Kushtetuese pikërisht mbi shprehjen ‘që shqyrton ankimin”, shprehje që gjendet në nenin 22 të Kodit të Procedurës Penale.

Ngërçi “që shqyrton ankimin”

Në kohën kur prokuroria priste të paraqiste para gjykatës pretencën në lidhje me hetimet mbi akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj Xhelal Mziut, Bujar Loshit dhe Alti Hotit, vjen edhe kërkesa e avokatëve mbrojtës për të përjashtuar trupin gjykues. Mirëpo referuar nenit 22 të Kodit të Procedurës Penale për ‘vendimin mbi kërkesën për përjashtim’ në pikën 2 të tij thuhet se gjyqtari vendos mospranimin e kërkesës në 6 raste, që kanë të bëjnë konkretisht me faktin që kërkesa është bërë nga persona që nuk kanë të drejtë ta bëjnë, kërkesa është paraqitur jashtë afateve, është e paarsyetuar, është paraqitur edhe më parë për të njëjtat shkaqe dhe nuk është pranuar, synon zvarritjen e gjykimit dhe kur gjyqtari ka deklaruar heqjen dorë nga gjykimi dhe kërkesa e tij është pranuar. Tashmë për të shqyrtuar çështjen në ngarkim të Xhelal Mziut dhe dy personave të tjerë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, duhet të marrë një vendim Gjykata Kushtetuese dhe deri në marrjen e këtij vendimi, gjykimi ndaj të pandehurve është i pezulluar. Kështu, çështja në ngarkim të kryebashkiakut Mziu, do të mbetet në kuadër të pezullimit, derisa të vendoset mbi ‘shqyrtimin e ankimit’ vendim që mund edhe të shtyjë për shumë kohë e për pasojë çështja edhe mund të pushohet për tejkalim afatesh. Megjithatë, kryebashkiaku gjithnjë ka pretenduar pafajësinë në lidhje me akuzat e ngritura nga prokuroria derisa për shqyrtimin e fakteve të mbledhura nga akuza, mbrojtësit kërkuan që në sallën e gjyqit të sillej eksperti kontabël, kërkesë që gjykata nuk e mori parasysh dhe e rrëzoi.

Pezullimi

Në një kohë kur prokuroria e çështjes ishte përgatitur për të dhënë pretencën ndaj kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, ky i fundit në seancën e 23 gjyqësore, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Besnik Hoxha. Kjo kërkesë e bërë, thuajse në fund të procesit gjyqësor tashmë ka stopuar në vend vijimin e tij, për shkak se sipas rregullores duhet që një tjetër trup gjykues të marrë në shqyrtimin kërkesën për përjashtimin ose jo të gjyqtarit Besnik Hoxha. Sipas kërkesës së bërë nga Xhelal Mziu, gjyqtari në fjalë gjatë marrjes së vendimeve të ndërmjetme ka mbajtur qëndrim të njëanshëm në proces, dhe se në këto kushte nuk mund të jetë ai personi që të marrë vendimin përfundimtar. Nisur nga kjo situatë, tashmë procesi ndaj tre të pandehurve Xhelal Mziu, Bujar Loshi dhe Alti Hotit do të rinisë vetëm pasi të jetë marrë një vendim i dytë nga një tjetër gjyqtar lidhur me pranimin ose jo të kërkesës së të pandehurit Mziu. Xhelal Mziu qëndroi 24 ditë në qelitë e burgut 302. Lirimi i tij nga gjykata e Apelit, u prit me duartrokitje dhe brohoritje të mbështetësve të tij, që kishin mbërritur nga Kamza në dyert e gjykatës. Treshja gjykuese Zina Sollaku, Agim Bendo dhe Zamir Poda shpallën me dyer të mbyllura masën më të lehtë, atë të “Detyrimit me paraqitje” një ditë të javës përpara oficerit të policisë gjyqësore, për Xhelal Mziun.

Përgjegjësia e Xhelal Mziut sipas akuzës

Kryebashkiaku i Kamzës u akuzua për pabarazi në tendera dhe u arrestua në zonën e ish-Bllokut. Ai mohoi të ishte i fajshëm për akuzat e ngritura por prokuroria, gjatë konkluzioneve paraprake bëri publike përveç shkeljeve, që sipas tyre tenderi nuk iu kishte dhënë firmës fituese, edhe përgjegjësitë që mbante në këtë rast funksionari i lartë lokal. Sipas kërkesës së prokurorisë, titullari i autoritetit kontraktor ose zyrtari i autorizuar prej tij është përgjegjës për organizimin dhe realizimin e procedurës së prokurimit publik. Në rastin e Bashkisë Kamëz, titullari i autoritetit kontraktues është Kryetari i Bashkisë shtetasi Xhelal Mziu. Po në vendimin parashikohet se:“Pas miratimit të klasifikimit përfundimtar nga titullari i autoritetit kontraktor apo zyrtari i autorizuar, siç parashikohet në këto rregulla, ofertuesi i suksesshëm njoftohet me shkrim për pranimin e ofertës dhe për lidhjen e kontratës. Ky njoftim i dërgohet edhe APP-së për t’u botuar në buletinin elektronik të njoftimeve publike dhe publikim në faqen e internetit të APP-së, në përputhje me nenin 58 të LPP-së. Autoriteti kontraktor dhe ofertuesi fitues nënshkruajnë kontratën, sipas afateve të përcaktuara në rregullat e prokurimit publik. Në çdo rast, kjo periudhë nuk duhet të tejkalojë afatin e vlefshmërisë së ofertës, të përcaktuar në njoftimin e kontratës ose në dokumentet e tenderit (zakonisht është afati 30 ditor nga dita e njoftimit).

Arrestimi

Më 20 dhjetor të një viti më parë, kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, arrestohet orëve të pasdites teksa pinte kafe në zonën e Bllokut nga policia e Tiranës nën akuzat për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Një tjetër zyrtar i bashkisë, drejtori juridik i kësaj bashkie, Atli Hoti u shpall në kërkim nga forcat e rendit.

Akuza

Nga hetimi, prokuroria ka arritur në konkluzionin se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës “Valias i Ri-Varrezat Laknas. Sipas hetimeve, ka rezultuar se autoriteti kontraktor, pas përfundimit të plotë të procedurave, ka shpallur fitues shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k

Lirimi

Më 13 janar të këtij viti, ishte Gjykata e Apelit që vendos të ndryshojë masën e sigurisë që kishte dhënë Gjykata e Tiranës për Xhelal Mziun. Trupi gjykues i Apelit vendos ta lërë Mziun në masën detyrim paraqitjeje, ndërsa prokuroria vijoi me hetimin për akuzat e ngritura. Lirimi i kryebashkiakut të Kamzës u shoqërua me pritjen e dhjetëra mbështetësve të tij që u gjenden që herët në ambientet e jashtme të gjykatës.

Pezullimi

Më 4 tetor të këtij viti gjykata vendos të pezullojë gjykimin e çështjes në ngarkim të kryebashkiakut dhe të dy personave të tjerë që gjykohen për të njëjtën dosje. Pezullimi erdhi pas kërkesës së të mbrojtjes së Mziut që të sillet në sallën e gjyqit një ekspert kontabël. Atëherë u kërkua përjashtimi i trupit gjykues, më saktë i gjyqtarit të vetëm, besnik Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat