Takimi Rama-Vuçiq, pas këmbënguljes së Merkelit

Shqipëria

Takimi Rama-Vuçiq, pas këmbënguljes së Merkelit

Më: 19 tetor 2014 Në ora: 23:45

Biseda telefonike mes Ramës dhe Vuçiç për të shtyrë vizitën e kryeministrit Rama në Serbi mësohet se ka zgjatur rreth 30 minuta, prej orës 16:00 deri në 16:30.

Top Channel ka mësuar se ajo është kërkuar nga kryeministri serb përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar që kuptueshëm është Berlini, duke pasur parasysh se më herët ishte kancelarja gjermane, Merkel ajo që telefonoi shefin e qeverisë në Serbi.
Në bisedën e parë të drejtpërdrejtë mes Vuçiç dhe Ramës pas ngjarjeve të dhunshme në Beograd dhe atyre që e pasuan, thuhet se mes dy homologëve është rënë dakord që incidentet që shoqëruan ndeshjen ishin tejet të padëshiruara.
Zyrat e të dy kryeministrave kanë nxjerrë një njoftim të përbashkët, si duket për të shmangur përcjelljen në publik të kundërshtive të forta gjatë bisedës, të cilat nuk i mohon as vetë deklarata zyrtare.
Por si u mbërrit në këtë datë?
Burime për Top Channel bëjnë me dije se ka qenë presioni i shtuar ndërkombëtar mbi Beogradin që të mos ndërpritej vizita e kryeministrit shqiptar në datën e planikuar.
Por nga sa mësohet, kryeministri serb ka kërkuar mirëkuptim, për shkak të atij që ai quan “presioni i brendshëm” nuk mund ta priste homologun shqiptar.
Por ajo qe nuk mirëkuptoi Perëndimi ishte anulimi i ftesës së Vuçiç për Ramën, duke parë si rrugën e mesme shtyrjen disa ditë të saj.
Burime diplomatike ka thanë se shtyrja me një datë të përcaktuar dhe të afërt është dakordësuar paraprakisht me kancelaren Merkel, e cila e ka përjashtuar kategorikisht çdo mundësi për një shtyrje pa afat nga pala serbe, e cila ka ngurruar deri në fund të shtrojë tapetin e kuq e të ngrejë flamurin kuqezi pas asaj që ndodhi në stadiumin e Partizanit.
Ajo që qartësisht kuptohet është fakti se kryeministri serb Aleksander Vuçiç iu dorëzua atij që quan “presion i brendshëm” që në terma të tjerë në Serbi njihen si huliganizmi dhe nacionalizmi.
Por ajo që nuk kuptohet është fakti se ishte vetë ai dhe zyrtarë të tjerë serbë që iu dhanë zë përmes deklarimeve të fundit.
I gjendur në situatën që krijoi vetë, shefi i qeverisë së Beogradit pas një sërë telefonatash nga Uashingtoni e shtetet e rëndësishme europiane, kërkoi të telefonojë homologun shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat