Hajdaraga:Telefonata e Ramës, valvul që shfryu tensionin, Serbia u ndërgjegjësua

Shqipëria

Hajdaraga:Telefonata e Ramës, valvul që shfryu tensionin, Serbia u ndërgjegjësua

Më: 19 tetor 2014 Në ora: 22:45

Telefonata ndërmjet Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit serb Vuçiç dhe vendimi për t’u takuar më 10 nëntor, ishte tamam një valvul që shfryu një tension shumë të madh të grumbulluar gjatë këtyre ditëve dhe ishte një mësim i madh politik, që tregoi se situata të tilla tejkalohen vetëm me dialog.
I këtij mendimi është personaliteti i politikës, ish-Ministri i Mbrojtjes dhe i Punëve të Jashtme në qeveritë e majta, prof. Luan Hajdaraga, gjatë një interviste në studion e “Ora News”, ftuar nga gazetari Patrik Sadikaj.
“Telefonata a e z.Rama në momentin e duhur dhe edhe zgjidhjen e duhur në bashkëpunim të plotë me Kryeministrin e Serbisë, z.Vuçiç, – tha Hajdaraga. – Sot besoj se kudo në rajon ka një frymë lehtësimi. Kjo telefonatë dhe ky vendim që u morr, për ta shtyrë vizitën, ishte tamam një valvul që shfryu një tension shumë të madh të grumbulluar gjatë këtyre ditëve.
Mendoj se fillimisht tensioni shpërtheu si rezultat i ndeshjes, e cila kishte probleme shumë të mëdha, nje tension që ne e pamë të gjithë dhe pastaj për fat të keq kaloi në terrenin e politikës dhe angazhoi në mënyrë të drejtpërdrejtë, forcat politike, më shumë dhe më me ashpërsi nga Serbia dhe me një përgjigje gjakftohtë dhe shumë të kujdesshme nga pala shqiptare. Sidoqoftë, këtë problem tani unë e konsideroj të tejkaluar, përderisa është vendosur që takimi të bëhet më 10 nëntor.
Duhet të kemi parasysh që situatat politike, problemet që lindin në politikë duhet të zgjidhen patjetër me mjete politike. Mjetet politike më të favorshme janë dialogu dhe marrëveshja. Besoj se ky ishte një mësim shumë i madh për të gjithë, që ky tension do të zgjidhej vetëm në rrugë politike, me marrëveshje dhe me diskutime.”
Hajdaraga e krahasoi situatën e tanishme Shqipëri – Serbi me atë të 15 vjetëve e më shumë më parë dhe ai tha shprehimisht se “është bërë një progres i jashtëzakonshem.
“Unë fatmirësisht kam pasur privilegjin që të jem në politikë dhe të menaxhoj politikë që nga viti 1997-1998, kur situata në rajon ka qënë shpërthyese, – theksoi ai. – Aq më tepër kriza e Kosovës, ’98 – ’99 – ‘2000, por një situatë që u menaxhua shkëlqyeshëm. Më pas, një proces i tërë bashkëpunimi dhe paqeje rajonal që filloi nga viti 2000 dhe vazhdon deri sot.
Po të shikosh rajonin e Ballkanit perëndimor në mbarim të krizës kosovare nga viti 2000 e deri sot janë bërë progrese të jashtëzakonshme. Procese të bashkëpunimit rajonal, që janë të pakthyeshme më. Nesër –pasnesër, znj.Jahjaga shkon në Bruksel dhe do të normalizojë që marrëdhëniet të ecin sa më shpejt në rrugën e zgjidhjes së problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Janë investuar në rajon jo vetëm mund e djersë dhe diplomaci, por janë investuar shuma kolosale për ta bërë rajonin e Ballkanit perëndimor bashkëpunues, për të rritur fqinjësinë ndërmjet vendeve që dikur “armike” E gjithë kjo nuk mund të kthehet mbrapsht, absolutisht! Nuk është në interest të askujt. Aq më tepër të popujve tanë dhe më shumë, faktorit ndërkombëtar: Shteteve të Bashkuara dhe Brukselit, të cilët mund të falin ndonjë vendnumëro në këto marrëdhënie, por kurrsesi të kthehen në pikën zero.”
Përsa i përket thirrjeve publike, drejtuar Kryeministrit shqiptar për të mos shkuar në Serbi më 22 nëntor, Hajdaraga tha: “Kjo është një dilemë që nuk arrita ta kuptoj. Kjo nuk është çështje bastesh. Kjo ëhstë një çështje politike që nuk zgjidhet me “artileri” deklaratash, por zgjidhet duke u ulur në tavolinë dhe kërkuar zgjidhjen e tyre. Për këtë, sinqerisht më vjen mirë që z.Rama i qëndroi këtij pakti që kishte bërë me shqiptarët, me Shqipërinë, me Evropën dhe u tregua mjaft dashamirës edhe me palën serbe, duke insistuar për dialogun. Dhe ia arriti.
Mendoni sikur të kishin dëgjuar këto “zana” ose këto “shtojzovalle” që i kërkonin të mos vejë. Çfarë do të kishim sot në dorë?! Nëse ka një atribut të madh Shqipëria, politika në Shqipëri, është pikërisht kjo: Që faktori shqiptar ka qënë gjithmonë shumë konstruktiv dhe shumë paqedashës. Ne kemi fituar me këtë. Si do ta humbnim këtë shans?! Ku do ta çonim këtë kapital?! Dhe fare mirë bëri që insistoi deri në fund e ja zgjidhja: U shty për t’u përgatitur më mirë dhe ndoshta për të rënë pak këto tensione.
Edhe në Serbi lufta politike zhvillohet ndërmjet dy krahëve, që tani janë të evidentuara. Njeri krah që është nacionalist properëndimor dhe krahu tjetër, properëndimor nacionalist. Kjo është kultura e tyre politike dhe duhet vlerësuar në këto dimensione, por edhe ata janë të përgjegjshëm për këtë punë, sepse i kanë hyrë një procesi, i cili është votuar: Procesi i aderimit të Serbisë në BE. Serbia është vend kandidat. Nga zgjedhësit serbë është votuar pikërisht kjo. Pra, kanë fituar forcat politike që kanë qënë pro Evropës. Sigurisht ka dhe forca të tjera që e pengojnë, për arsye të traditës kulturore, historike e tj.
Ky dimension duhet parë dhe është për t’u vlerësuar. Dhe tani çfarë? Sigurisht që bënë llogaritë dhe u ndërgjegjësuan forcat e ndryshme politike që ta vazhdojnë këtë dialog, sepse është në të mirë të popujve e vendeve, por në fund të fundit, edhe të kujt?! Edhe të aspiracioneve të Serbisë për të qënë pjesë e BE-së. Sepse ku mund të vejë Serbia?! Ku mund të jetojë Serbia ndryshe përveçse me fqinjësi të mirë?!”, – theksoi Hajdaraga.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat