KM:Shtyhet vizita e Ramës në Beograd, takimi më 10 nëntor

Shqipëria

KM:Shtyhet vizita e Ramës në Beograd, takimi më 10 nëntor

Më: 19 tetor 2014 Në ora: 18:19

Kryeministria shqiptare përmes një njoftimi për mediat, ka bërë të ditur se është shtyrë për në 10 Nëntor vizita e Ramës në Beograd. Zyra e shtypit e Kryeministrisë, bën të ditur se Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun serb ku kanë rënë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi - Shqipëri ishin tejet të padëshiruara.

Në njoftim theksohet se mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata kanë rënë dakord që nuk duhet dhe s'do ta humbin mundësinë për t'u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Kjo ka qenë edhe arsye që dy Kryeministrat kanë rënë dakord që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara ata kanë rënë dakord të shtyjnë për më 10 nëntor vizitën që ishte parashikuar të zhvillohej më 22 tetor.

Njoftimi i plotë për mediat nga zyra e Kryeministrisë
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, patën këtë pasdite një bisedë telefonike.

Ata ranë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi - Shqipëri ishin tejet të padëshiruara. Mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t'u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Prandaj, ata u morën vesh që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Europës si e tërë.

Për sa më sipër, dy kryeministrat ranë dakord që takimi i planifikuar midis tyre të mbahet në Beograd më 10 nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat