Ristani: Rama dhe Tahiri ia dorëzojnë dëshmitarin e drejtësisë krimit

Shqipëria

Ristani: Rama dhe Tahiri ia dorëzojnë dëshmitarin e drejtësisë krimit

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 14:58

Deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani, në një deklaratë për mediat akuzon kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, në lidhje me publikimin e emrit të vërtetë të dëshmitarit të drejtësisë për çështjen e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. Sipas Ristanit, ky është një skandal i paprecedentë, dhe Rama së bashku me Tahirin duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.

“Edi Rama e thelloi sot skandalin e publikimit të identitetit të dëshmitarit kyç në procesin për vrasjen e komisarit të policisë, duke sulmuar opozitën me anë të ministrit të tij. Identiteti i dëshmitarit të drejtësisë, doli nga zyrat e tij, dhe ishte peshqesh për aleancat kriminale që ka ndërtuar Edi Rama në Kuvend.

Publikimi i emrit, mbiemrit dhe portretit të dëshmitarit është një skandal i paprecedentë, dhe është një krim para të cilit kryeministri dhe ministri i Brendshëm duhet të mbajnë përgjegjësi jo vetëm morale, por ligjore në radhë të parë. Edi Rama ia dorëzoi mafias dëshmitarin e drejtësisë me duart e tij, për interesat e tij politike, dhe sot del e sulmon opozitën”, është shprehur Ristani.

Sipas deputetit demokrat, deklarata e ministrit Tahiri “Lëreni të qetë policinë të punojë, mos hidhni baltë mbi policinë”, në rastin konkret do të thotë “Na lini rehat kur bashkëpunojmë me krimin, mos na i bëni publike të palarat”.

“Kjo është shumë e rëndë, ia dorëzojnë dëshmitarin e drejtësisë krimit dhe kërkojnë nga opozita që të mbyllë gojën, por hiqeni nga mendja, asnjë marifet, nuk do ta shpëtojë as Edi Ramën, as Saimir Tahirin, nga kjo përfshirje dhe shërbim kriminal që po i bëjnë mafias që është sot aleatja e tyre kryesore në pushtet”, ka theksuar deputeti Ristani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat