Zbulimi i dëshmitarit kyç, Tahiri: Hetim deri në fund

Shqipëria

Zbulimi i dëshmitarit kyç, Tahiri: Hetim deri në fund

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 13:13

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka thënë se zbulimi i emrit të dëshmitarit kryesor në qyqin ndaj Arben Frrokut, do të hetohet dhe zbardhet plotësisht.

Në fjalën e tij në seancën e sotme të Kuvendit, ministri Tahiri tha se policia garanton mbrojtjen e informacionit për personat që bashkëpunojnë, ndërsa bëri thirrje që të ndalen presionet ndaj saj.

“Duhet ta pranoj para Kuvendit se kjo është një nga ato gjëra që nuk duhet të ndodhin. Nuk mund të them tani më shumë detaje lidhur me këtë çështje. Policia e Shtetit garanton sot informacionin dhe të dhënat për ata që bashkëpunojnë me policinë. Kjo nuk do të thotë që nuk do zbardhim edhe atë që ka ndodhur edhe për çështjen në fjalë”, u shpreh Tahiri.

Ministri Tahiri akuzoi opozitën se është bërë palë me krimin dhe kërkoi që të ndalen sulmet ndaj Policisë së Shtetit.

“Kam bindjen se faktet do flasin më fortë se fjalët. I bëj thirrje publikisht atyre që janë bërë barrë e shtuar për policinë, lëreni policinë të punojë. Ndalni presionet ndaj Policisë së Shtetit dhe baltën ndaj punonjësve të saj, sepse kështu po inkurajoni krimin.

Nuk gjej asnjë arsye dhe pse mendoj atë që mendojnë të gjithë se kjo opozitë ka zgjedhur të rreshtohet në anën e krimit duke sulmuar policinë. Në Lazarat quajti bandë policinë e shtetit. Nuk e kuptoj si mund të ndodhë të arrish uljen e krimeve të rënda e vrasjet dhe opozita të shpikë vrasje të fshehura nga policia.

Kriminelët në këtë vend kanë më shumë aleatë se njëri- tjetrin në politikë, polici e shumë e shumë të tjerë”, tha Tahiri.

Dëshmitari i mbrojtur Fatmir Vladi pretendon se ka parë vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Emri i tij u zbulua nga vetë i akuzuari për vrasjen e Lamajt, Arben Frroku, gjatë një seance gjyqësore.

Pak ditë pas zbulimit të emrit, ndaj Fatmir Vladit u tentuar një atentat me eksploziv, të cilit ai i shpëtoi mrekullisht. Ai do të vazhdojë të jetë i mbrojtur nga Policia e Shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat