Shqipëria e rrezikuar nga xhihadizmi

Shqipëria

Shqipëria e rrezikuar nga xhihadizmi

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 12:12

Prej kohësh, agjensitë inteligjente ndërkombëtare kanë pohuar se vendet e rajonit dhe Shqipëria janë të kërcënuara nga xhihadi ekstrem, por për herë të parë Shërbimi Informativ Shtetëror pohon se siguria kombëtare e vendit rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar.
Edhe pse në një deklaratë për shtyp të publikuar për të mohuar zërat për përgjimin e politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, Shërbimi Informativ Shtetëror, në fund të saj, lëshon alarmin për rrezikun që sipas këtij institucioni i kanoset sigurisë kombëtare të vendit.

“Duke qenë të ndërgjegjshëm se ka shumë për të bërë në drejtim të rritjes së profesionalizmit në SHISH, ne po punojmë me vetëmohim dhe jemi në krye të punëve tona për t’i shërbyer vendit në këto kohë të vështira për sigurinë kombëtare dhe asaj globale, e cila rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar, ku Shqipëria dhe SHISH në veçanti janë të angazhuara në vijën e parë të kësaj lufte.”

Ky është paragrafi që mbyll deklaratën për shtyp të Shërbimit Informativ Shtetëror. Por, me sa duket, ky paragraf do të hapë të paktën shumë hamendësime në lidhje me rreziqet e mundshme që Shqipëria ka nga terroristët dhe terrorizmi.

Aq më tepër që SHISH-i është i vetmi institucion që ka artikuluar kaq hapur dhe kaq fort rrezikun xhihadist për vendin tonë, kur asnjë tjetër nuk është shprehur. Madje, shumë zyrtarë të lartë dhe të institucioneve e kanë minimizuar përfshirjen e shqiptarëve në luftërat e shenjta në Lindjen e Mesme apo edhe rrezikun që vjen prej tyre.

Deklarata e plotë e kreut të SHISH

Ditët e fundit Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) edhe një herë tjetër është vënë në shënjestër të goditjeve të mediave të ndryshme, përmes deklarimit të të pavërtetave lidhur me aktivitetin e tij ligjor.

Duke sqaruar se SHISH nuk e ka në natyrën e punës së tij të bëjë publike veprimtarinë e vet, për hir të së vërtetës dhe mbrojtjes së punës së tij, na lejoni t’i bëjmë me dije gjithë opinionit publik shqiptar se institucioni ynë ka vepruar, vepron dhe do të veprojë gjithmonë vetëm në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet normative që rregullojnë këtë veprimtari.

Janë tërësisht dezinformuese e denigruese informimet se qenkan përgjuar nga SHISH, në mënyrë të paligjshme, persona publikë të profileve të ndryshëm apo ndonjë qytetar tjetër.

Është shumë e qartë se ata persona që servirin këto lloj informacionesh në media, dhe për fat të keq edhe botohen pa marrë asnjë masë verifikuese, kanë qëllimin e mbrapsht ta denigrojë këtë agjenci të rëndësishme të sigurisë kombëtare, ta pengojë dhe shkurajojë në punën e saj aq të dobishme dhe të vështirë.

Ju sigurojmë se kemi kaluar situata shumë më të vështira se sa situatën e stisur me këto të pavërteta, por ne thjesht i kemi injoruar të gjitha ato përpjekje të cilat kanë patur si qëllim përbaltjen e veprimtarisë sonë.

Përmes këtij komunikimi, e sigurojmë publikun shqiptar se veprimtaria e SHISH, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare, në këta dy vjet, është vlerësuar mjaft pozitivisht si nga institucione të shtetit shqiptar, ashtu edhe nga shërbime partnere strategjike. Jemi krenarë t’ju informojmë se, në rendin e këtyre vlerësimeve, për suksesin e vizitës së Papa Franceskut, në mes të institucioneve të tjera, edhe SHISH mori falenderime të veçanta nga Shenjtëria e Tij.

Duke qënë të ndërgjegjshëm se ka shumë për të bërë në drejtim të rritjes së profesionalizmit në SHISH, ne po punojmë me vetmohim dhe jemi në krye të punëve tona për t’i shërbyer vendit në këto kohë të vështira për sigurinë kombëtare dhe asaj globale, e cila rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar, ku Shqipëria, dhe SHISH në veçanti, janë të angazhuara në vijën e parë të kësaj lufte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat