Sistemi energjetik për 4 vite shkoi drejt falimentit

Shqipëria

Sistemi energjetik për 4 vite shkoi drejt falimentit

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 10:29

Shqipëria për më shumë se 4 vjet, ka punuar pa reformuar në energji, duke lënë pas një sistem thuajse në kolaps. Treguesit aktualë, të bëra publike edhe nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë tregojnë për probleme të trashëguara, të cilat kanë sjellë edhe një situatë në prag falimentimi për sektorin e energjisë elektrike. Në takimin e zhvilluar mes drejtorit të Sekretariat për Komitetin e Energjisë, Janez Kopac, me deputetët e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, u bë publike dhe lista e shqetësimeve. Në kërkesat e bëra nga ana e drejtuesit të këtij institucioni Janez Kopac, binte në sy kërkesa për pavarësi të institucioneve rregullatore, njohja e mirë e shqetësimeve, minimizimi i humbjeve në rrjet, si dhe rishikimi i çmimt të energjisë. Sa i përket çështjes së çmimit të energjisë Kopac u përgjigjL “Çmimi i energjisë duhet të reflektojë kostot”. Ai tha më tej se se, ai dhe institucioni që përfaqëson, nuk sugjeron rritje apo ulje të çmimit të energjisë, por sipas tij çmimi duhet të reflektojë koston e prodhimit dhe shpërndarjes. Sipas raportit “Shqipëria nuk ka arritur të realizojë reformat e vendosura nga Komuniteti i Energjisë që nga viti 2007”. Janë një sërë ligjesh të cilat nuk janë formuluar dhe më pas zbatuar nga ana e qeverisë shqiptare. “Ligji për sektorin e energjisë elektrike, ligji për energjinë e rinovueshme dhe ai për efiçiencën energjetike kanë mbetur në letër dhe nuk kanë mbërritur kurrë në dyert e Kuvendit të Shqipërisë që të diskutohen me palët e interesit. Ndërkaq liberalizimi i pjesshëm i tregut që do të realizohej me miratimin dhe funksionimin e këtyre ligjeve ka qenë prioritet i vendosur i qeverive shqiptare në paketën e dytë të ndihmës teknike për sektorin energjetik”. Më tej sipas tij, një pjesë e sektorit të energjisë nuk ka përftuar as paketën e dytë të mbështetjes dhe ndihmës teknike, ndërkohë që është bërë gati e treta. Kjo e fundit duhet të hyjë në fuqi në vitin 2015 dhe Shqipëria është ende shumë pas. “Detyra jonë nuk është që të detyrojmë qeverinë, por të këshillojmë dhe të mundësojmë që vende si Shqipëria të bëhen pjesë e tregut energjetik evropian. Duhet të kuptoni se, tregu evropian funksionon mbi disa rregulla dhe është fitimprurës, në radhë të parë për shoqërinë. Paketa e dytë energjetike edhe sikur të miratohet sot nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk mund të zbatohet menjëherë në terren”- u shpreh Kopac. Më tej ai tha: “E njëjta gjë vlen edhe për paketën e tretë, ne nuk presim që zbatimi i saj të nisë me fillimin e vitit të ri”. Prioritete të paketës së tretë energjetike dhe që Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka kërkuar zbatim të përshpejtuar nga ana e qeverisë janë: një strukturë e re e tregut energjetik në vend, realizimi i reformës energjetike, ulja e humbjeve në rrjet dhe rritja e arkëtimeve, rregullimi i çmimit të energjisë, futja në sistem e operatorëve të tjerë si edhe përcaktimi i qartë i klientëve të cenueshëm.

Pavarësia e Entit Rregullator të Energjisë

Enti Rregullator i Energjisë duhet të jetë i pavarur dhe nuk duhet të ndryshojë sa herë ndryshojnë qeveritë. Kjo ka qenë një tjetër rekomandim i bërë nga Komiteti i Energjisë. Z. Kopac dhe delegacioni i tij kanë vlerësuar se qeveria shqiptare, ministria e Energjisë dhe Industrisë, duhet të mbështesin OST-në dhe OSHEE-n, ndryshe nga çfarë është bërë me ish-CEZ –in në uljen e humbjeve të energjisë duke vendosur një treg të qëndrueshëm. “Çmimin e energjisë e vendos tregu, por në Shqipëri kjo gjë nuk ekziston; fillimisht duhet të krijohet një treg energjie konkurrues. Humbjet dhe borxhet në sistemin energjetik janë të mëdha, duhet të ulen.

Prioritetet e paketës së tretë energjetike:

1. Ristrukturim i tregut energjetik

2. Reforma në sektorin e energjisë

3. Ulja drastike e humbjeve në rrjet

4. Rishikim i çmimit të energjisë

5. Hapja e tregut ndaj operatorëve të tjerë

6. Përcaktim i klientëve të cenueshëm

Energjia, nuk mblidhen dot borxhet

Sektori i energjisë është gati i falimentuar për shkak të mbledhjes së dobët të borxheve, keqorganizimit dhe çmimeve të rregulluara, të cilat nuk reflektojnë kostot. Të gjitha këto reforma në fund besoj se do të sjellin rritje të çmimit, të paktën për disa konsumatorë. Kjo sigurisht është e dhimbshme për ta, por pa trajtimin e duhur sektori do të falimentojë dhe kjo do të ishte e dhimbshme për të gjithë. Edhe ulja e humbjeve të energjisë, nuk mund të shmangë rritjen e çmimit për dy arsye, sipas drejtuesit te sekretariatit të energjisë: së pari humbjet nuk mund të ulen menjëherë dhe së dyti, çmimi aktual është i ulët sipas tij dhe nuk është në vlerën reale të çmimit. Në 4 vitet e fundit deri më tani, Shqipëria nuk ka bërë asnjë reformë në sektorin energjetik. Është nevojë emergjente rregullimi i çmimit të energjisë dhe rritja në çmimin e energjisë elektrike. Çmimi duhet të reflektojë koston e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes për të shmangur një falimentim të mundshëm të sektorit. Shqipëria ka përballë krijimin e një tregu. Pavarësisht se duhet të ndjekë detyrimin të hapë këtë treg në janar të 2015-s, do të duhet të kalojë në një periudhë tranzitore, pasi brenda afatit është e pamundur. Më pas duhet të adaptojë çmimet e nivelit të tregut. Besoj se ky çmim do të jetë më i lartë se çmimi ekzistues, që është shumë i ulët krahasuar me të gjitha vendet përreth dhe veçanërisht më ato që kanë një treg funksional. Nuk kemi sugjeruar sa për qind duhet të rritet çmimi sepse këtë e përcakton tregu, por këmbëngulim që çmimi të reflektojë koston sepse kjo është mënyra e vetme për të mbijetuar në periudhë afatgjatë. Referuar humbjeve të energjisë që aktualisht janë në nivelin 40 për qind, është një sfidë që kërkon kohë, por mund të realizohet me vullnet politik dhe investime. Ndërsa marrëveshja me CEZ që u mbështet nga komuniteti i energjisë ishte një mënyrë për të mos mbajtur Shqipërinë peng të një konflikti që nuk do të lejonte reformimin e sistemit dhe investimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat