Vrasja e Lamajt, javën tjetër Arben Frroku përballë dëshmitarit

Shqipëria

Vrasja e Lamajt, javën tjetër Arben Frroku përballë dëshmitarit

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 09:46

F.V. do të përballet ditën e mërkurë me Arben Frrokun në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Tashmë është e paevitueshme që të shtyhen më seancat gjyqësore ndaj të akuzuarit të vetëm për atentatin e bujshëm, ku mbeti i vrarë Dritan Lamaj, ishkryepolici i Kombinatit, i vrarë në fundshkurtin e 2013-ës. Ditën e djeshme, në seancën me dyer të mbyllura, mësohet se ka patur debate të shumta mes dy mbrojtësve të Frrokut, prokurorit të çështjes dhe trupës gjyqësore. Gjithashtu në debate nuk ka mbetur pas edhe personi i vënë pas hekurave për një akt të rëndë, i cili asnjëherë nuk ka pranuar jo vetëm të ishte autori po as i përfshirë në ngjarjen e rëndë ku u vra Lamaj. Referuar të dhënave të besueshme që vijnë nga Gjykata bëhet me dije se në fakt, para se të fillonte seanca gjyqësore në ngarkim të Frrokut, është sjellë në ambientet e kësaj gjykate F. V, i cili për shkak të këtyre debateve nuk është bërë e mundur të japë dëshminë e tij. Avokatët e Arben Frrokut kanë akuzuar prokurorin për shkeljen e procedurës ligjore në lidhje me marrjen e dëshmisë së personit, ndërsa ky i fundit ka qëndruar për rreth 5 orë në ambientet e gjykatës dhe më pas është transportuar për në vendin ku pretendohet se po ruhet nga policia, ruajtje që me sa duket iu ka vënë në dispozicion pas 15 shtatorit, ditë kur u pretendua se në mjetin e tij ishte vënë në minë e telekomanduar, po që për fatin e tij ajo nuk u shpërthye dhe dëshmitari F. V. mundi të shpëtonte.

Seanca e djeshme

Gjykata është blinduar me forca të shumta policie për të mbajtur të sigurt jetën e dëshmitarit që pretendon se ka parë në vendin e krimit, mbrëmjen e 24 shkurtit, pikërisht në makinën e vrasësve Arben Frrokun. Seanca vijoi të zhvillohet me dyer të mbyllura, një fakt ky i kundërshtuar nga mbrojtja dhe vetë i pandehuri, pasi tashmë dëshmitari nuk i plotëson më kriteret e një dëshmitari pasi ai është bërë i njohur për publikun. Debatet kanë vijuar ashpër në sallën e gjyqit që në fakt ka patur startin pikërisht tek shkelja e ligjit për marrjen e deklarimit të dëshmitarit kyç, ndërsa mësohet se është vendosur që kjo dëshmi të jepet para gjykatës seancën e radhës. Ende nuk bëhet me dije se si do të kryhet dhënia e dëshmisë, në sallë apo nëpërmjet një video konferencë, por është përcaktuar se tashmë do të jetë edhe përballja e pritshme mes të njohurish, njëri në rolin e të pandehurit dhe tjetri që iu ka dhënë drejtësisë duke pretenduar se ka parë në vendin e krimit dhe në makinën e vrasësve Arben Frrokun. Javën e ardhshme, prokuroria pritet t`i dorëzojë gjykatës edhe marrëveshjen e firmosur me F. V., 43-vjeçarin nga Tropoja që ka pranuar të dëshmojë në procesin gjyqësor të vrasjes së Dritan Lamajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat