Nishani: Integrimi i Shqipërisë, proces që mat objektivisht arritjet e reformave

Shqipëria

Nishani: Integrimi i Shqipërisë, proces që mat objektivisht arritjet e reformave

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 18:51

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, me ftesë të “Qendrёs Weiser pёr Demokracitё e Reja”, vizitoi Universitetin prestigjoz tё Miçiganit.

Kreu i shtetit shqiptar, theksoi se në historinë e saj Shqipëria ka kaluar periudha të vështira, por populli shqiptar ka ditur të ruaj me fanatizëm vlerat dhe indetitetin e tij, ku më kryesore zoti Nishani renditi tolerancën fetare.

“Toleranca fetare është pjesë e trashëgimisë shqiptare. Në shekullin e 19-të, intelektuali dhe ideologu shqiptar nga më të shquarit e kohës, Vaso Pasha tha se ‘Feja e shqiptarit është shqiptaria’. Kjo thënie ishte moto frymëzuese e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një lëvizje që u kurorëzua me Pavarësinë e Shqipërisë më 1912-n, pas rënies së Perandorisë Otomane e në mbarim të Luftërave Ballkanike. Bashkëjetesa e besimeve kryesore myslimane, ortodokse, katolike dhe besimeve të tjera përbën një shembull, nga i cili mund të mësojnë edhe kombe të tjera të zhvilluara. Martesat e përziera, pjesëmarrja e përbashkët në festat fetare dhe solidariteti në vështirësi janë normale për shoqërinë shqiptare”, vuri në dukje Presidenti Nishani.

Reformat e suksesshme janë kusht për integrimin europian, tha Presidenti Nishani. Sipas tij, avancimi në këtë proces mat objektivisht arritjet e reformave.

“Statusi kandidat do të thotë sipërmarrje për reforma më të shpejta dhe më të thella. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, reformimi i sistemit të drejtësisë, bazuar në parimin e gjithëpërfshirjes, profesionalizmit dhe transparencës, imun nga ndërhyrjet politike dhe grupet e interesit, ndërtimi i një administrate profesionale të depolitizuar, janë prioritetet tona, në përpjekjet për konsolidimin e shtetit ligjor, demokracisë funksionale dhe ekonomisë së tregut të lirë. Politika dhe institucionet shqiptare kanë vullnetin konsensual për të ndërmarrë nismat e duhura, me qëllim forcimin e stabilitetit demokratik, stabilitetit ligjor, stabilitetit ekonomik dhe administrativ, edhe për faktin se investitorët do të ndihen, kësisoj, më të sigurt”, u shpreh Presidenti.

Duke u ndalur në rajonin e Ballkanit, Zoti Nishani, tha se në fillim të viteve 1990, shqiptarët me urtësi dhe maturi janë përballur me politikat shoviniste të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç.

“Në një situatë të tillë shumë kërcënuese, të karakterizuar me spastrime etnike për shkak të luftës për territore, Republika e Shqipërisë ndoqi një qasje të kujdesshme, të balancuar dhe pragmatike, e cila bazohej në politikën e fqinjësisë së mirë, mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe në parimet e të drejtës ndërkombëtare. Ajo synonte ruajtjen e qenies njerëzore dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve, që banonin në disa shtete të dala nga Federata Jugosllave, mospërhapjen e konfliktit dhe ruajtjen e stabilitetit të brishtë në zonat jashtë tij.
Më duhet të vë në dukje një fakt, veçanërisht të rëndësishëm për një rajon dikur ngatërrestar, si Ballkani, se shqiptarët, kurrë, gjatë gjithë historisë, nuk kanë sulmuar fqinjët e tyre, por i kanë ofruar miqësi dhe fqinjësi të mirë. Në konfliktin e fundit, ata u sollën me urtësi, për të mos provokuar situatën. Përpjekjet për të justifikuar agresionin shovinist me motive fetare ishin të papranueshme për një komb, që në themel të tij ka tolerancën dhe lirinë e besimit”, deklaroi kreu i shtetit shqiptar.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës i vlerësoi të një niveli të shkëlqyer. Sipas tij, mbështetja e partnerit strategjik, mundësoi lirinë e shqiptarëve të Kosovës dhe përshepjtoi integrimet euro-atlantike të Shqipërisë.

“Pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realizuar pa veprimin diplomatik intensiv, pasuar nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe e Shqipërisë pas pavarësisë. Ajo vërtetë u bë e mundur falë arritjeve tona, por, vullneti dhe mbështetja amerikane ishin vendimtare.
Anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ne e konsiderojmë përgjegjësi për të bashkëpunuar me aleatët tanë, në mbështetje të paqes dhe sigurisë kudo.
Shqipëria u rreshtua menjëherë në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit, të udhëhequr nga SHBA, me deklarata politike dhe veprime konkrete, fill pas sulmeve të 11 shtatorit. Shqipëria, në bashkëpunim me aleatët po mbështet Forcat e Armatosura të Irakut në luftën kundër ISIS-it”, vlerësoi Nishani.

Studentët e Universitetit të Miçiganit, ndër ta edhe shumë shqiptarë, i rezervuan kreut të shtetit një surprizë të këndshme, me rastin e ditëlindjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat