"Skandali i Pukës", shkarkohet kryeprokurori Preçi

Shqipëria

"Skandali i Pukës", shkarkohet kryeprokurori Preçi

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 16:19

Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme votoi unanimisht (me 7 vota pro dhe asnjë kundër) për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Pukë, Pëllumb Preçi, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Preçi u përfshi në skandalin e dhënies së drejtësisë në këmbim të parave në Gjykatën e Pukës, dhe aktualisht ndaj tij po zhvillohet gjykimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në mbledhjen e kësaj të mërkure, Këshilli i Prokurorëve dëgjoi versionin e Thoma Janos, kreu të auditit në Prokurori, pasi ky i fundit një ditë më parë u denoncua nga Preçi si personi që ka ndërhyrë në procesin, ku në emër të parasë shitej drejtësia.

Këshilli i Prokurorisë bën me dije se është në fazën e shqyrtimit të të dhënave, sipas të cilave zyrtari i Prokurorisë së Përgjithshme mund të ketë luajtur rolin e negociuesit ndërmjet ish-drejtuesit të Prokurorisë Pukë dhe të pandehurit në atë proces gjyqësor, P. Pjetri.

Përfundimi i hetimeve do të vendosë ngritjen apo jo të akuzës ndaj Janos, i cili është pezulluar nga kreu i organit të akuzës Adriatik Llalla, menjëherë pas denoncimit të prokurorit të Pukës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat