Braho: Thirrja e kreut të SHISH-it në komision, kur të mbarojë hetimi

Shqipëria

Braho: Thirrja e kreut të SHISH-it në komision, kur të mbarojë hetimi

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 08:58

Kreu i Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika do të thirret në Komisionin e Sigurisë Kombëtare vetëm pasi të përfundojë hetimi. Pohimi është bërë dje nga kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho i cili shtoi se ende nuk ka një kërkesë zyrtare drejtuar Ajazit, në pritje të përfundimeve finale të hetimit. Grupi i punës i ngritur nga mazhoranca, i cili prej muajsh ka nisur hetimin në zyrat e SHISH-it, ka nxjerrë dhe shkeljet e para por pa konkluduar akoma raportin final i cili më pas pritet ti vihet në dispozicion kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

Ajazi te Siguria

I pyetur nga mediet se kur do të vijë në Komisionin e Sigurisë drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, kreu i këtij komisioni, Spartak Braho tha: “Kur të mbarojë hetimi”. Tre ligjvënësit socialistë të caktuar nga Komisioni i Sigurisë, përkatësisht Pirro Lutaj, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu prej disa muajsh tashmë, kanë nisur hetimin në zyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror. Pak ditë më parë ata kanë renditur në një raport paraprak dhe gjetjet e para të këtij hetimi mbi bazën e të cilave thuhet se SHISHi ka përgjuar persona me imunitet, ka rekrutuar persona të larguar nga detyra në 1997-ën, për shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës po dhe ka punësuar të tjerë persona në shkelje të hapur me ligjin. “Ne Shërbimin Informativ Shtetëror, gjatë kryerjes së detyrave të ndryshme ka mungesa dhe shkelje të ligjeve bazë dhe akteve normative”, - theksohet në raportin e prezantuar nga deputeti Pirro Lutaj në Komisionin e Sigurisë. Burime nga ky komision kanë pohuar pas kësaj mbledhje, se nga hetimet e kryera është konstatuar përgjimi i personave me imunitet apo dhe shkresa e kreut të SHISH-it, dërguar në rrethe ku urdhërohet përgjimi i shefave të policisë por ndërkohë që ka dhe indicie për përgjimin e krerëve të lartë të politikës. Një tjetër shkelje e evidentuar nga deputetët socialistë, kanë qenë rekrutimet në Shërbim. Sipas raportit, pasi Visho Ajazi ka marrë detyrën në krye të Shërbimit, në kundërshtim me ligjin, ka rekrutuar persona të larguar nga detyra në vitin 1997-ën, për shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës dhe po ashtu rekrutimet nuk janë kryer konform ligjit dhe nevojave. Në raport thuhet se në veprimtarinë e këtij institucioni janë vërejtur tendenca për kontrollin e institucioneve të tjera, duke çuar kështu në mbivlerësimin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe shkeljen e ligjit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se ruajtja e sekretit është një tjetër çështje shqetësuese që ngrihet në raport lidhur me veprimtarinë e Shërbimit Informativ Shtetëror, por detajet e kësaj pjese mbeten sekret për shkak të informacionit që përmbajnë.

Hetimi

Në 23 prill 2014, Komisioni i Sigurisë Kombëtare mes diskutimeve të shumta vendosi të ngrejë një grup kontrolli me 5 deputetë, 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita për verifikimin e problematikave të lindura në SHISH, pas dështimit disa herë dhe të raportimit vjetor të kreut të këtij institucion, Visho Ajazi Lika, për shkak të skadimit të certifikatës së sigurisë. Edhe pse më në fund kjo seancë dëgjimore u realizua, deputetët e mazhorancës mbeten të pakënaqur nga informacioni i marrë dhe vendosën ngritjen e grupit të kontrollit për verifikime në zyrat e SHISHit. Opozita refuzoi të merrte pjesë në këtë grup pune.

Katastrofat, miratohet memorandumi

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dje projektligjin “Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit për kuadrin institucional të iniciativës për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave për Evropën Juglindore”. Sipas përfaqësuesve të qeverisë, objektivat e Iniciativës, siç janë ndërtimi i kapaciteteve të organizatave të menaxhimit të fatkeqësive, kanë për qëllim rritjen e punës parandaluese dhe parapërgatitjen nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të saj, në funksion të zgjerimit të BE-së dhe procesit të integrimit euro-atlantik. Është shtuar, gjithashtu, mbështetja për vendet në rajonin e Evropës Juglindore në përpjekjet e tyre për të zhvilluar më tej punën për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave në rast fatkeqësish, nëpërmjet qasjes së përbashkët dhe bashkëpunimit me të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare dhe organeve, sidomos të Mekanizmit të BE-së për Mbrojtjen Civile.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat